Liderët ilegalë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë paralajmëruar të hënën se referendumi për pranimin ose jo të autoritetit të Prishtinës, do të mbahet.

“Serbët e veriut të Kosovës do të votojnë në referendumin e planifikuar të mbahet më 14 dhe 15 shkurt”, ka deklaruar Krsimir Pantic, një prej liderëve serbë, i cituar nga “REL”.

Duke folur pas një takimi me homologët e tij, Pantic ka deklaruar se komunat veriore nuk kanë nevojë për dritën jeshile të Beogradit për të mbajtur referendumin, pas kjo është një e drejtë e banorëve serbë.

“Të katër komunat serbe në veri të Kosovës janë në favor të mbajtjes së referendumit, me përjashtim të komunës së Leposavicit, me të cilën kemi disa mosmarrëveshjeve të vogla, por që me kohë do të tejkalohen”, ka pohuar Pantic.

Të ashtuquajturit delegatë të kuvendeve komunale të veriut të Kosovës votuan vitin e kaluar për mbajtjen e referendumit në të cilin qytetarët serbë do të vendosin nëse duan t’i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.

Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga Beogradi, e në vecanti nga vetë presidenti serb Boris Tadic, i cili kritikoi serbët e veriut duke thënë se referendumi vetëm sa do të rëndojë më tej situatën.

Gjithashtu, kundër referendumit janë shprehur edhe zyrtarë të tjerë serbë, të cilët sugjerojnë se e gjithë bota e di se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë institucionet e Prishtinës.

Më herët gjatë muajit sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic u sugjeroi kryetarëve ilegalë që të hiqnin dorë nga referendumi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA