Paolo Maldini, kapiteni legjendar i Milanit, kritikon ish-skuadrën e tij. Në një intervistë për mediat italiane, Maldini deklaroi se askush nga klubi kuqezi nuk i ka bërë ofertë për të marrë një rol drejtuesi.
“Presidenti Berlusconi ka folur qartë për këtë cështje, ndërkohë që as Barbara nuk e ka përmendur emrin tim. Por e vërteta është se nuk kam marrë asnjë ofertë nga Milani. Gjatë viteve të fundit kërkova të rikthehesha në klub, por të gjitha dyert m’u mbyllën. Mund të isha i dobishëm për Leonardon në fillim e për Allegrin më pas, por mesa duket askush tek Milani nuk më do”, deklaroi ish-kapiteni i Milanit.
Më pas Maldini foli edhe për mundësinë e kalimit të tij në stafin teknik të PSG duke theksuar se për momentin nuk ka marrë asnjë ofertë, por që pritet të ndodhë.
“PSG është një klub në ndërtim e sipër. Prej kohësh kjo skuadër nuk ka fituar asgjë në Francë, por me lëvizjet e fundit po kërkon të ngjitet në nivelet më të larta të futbollit europian. Unë mund të jap kontributin tim pasi kam përvojën, dashurinë për futbollin dhe dëshirën për t’u përfshirë në një projekt serioz”, tha ish-numri 3 i Milanit.
Top Channel