FSHF, masa, por jo përjashtim ndaj Laçit

07/12/2011 17:40

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dënoi ashpër skuadrën e Laçit, të cilës iu hoqën gjashtë pikë dhe i pezullohet fusha deri në fund të sezonit, pas rrahjes barbare të gjyqtarit, në përballjen e së hënës ndaj Kastriotit.

Megjithatë, FSHF nuk ka përdorur ndëshkimin maksimal të ofruar nga kodi sportiv, i cili parashikonte deri përjashtimin e skuadrës nga kampionati i Superligës dhe si rrjedhojë, rënien e tij në një kategori më poshtë në sezonin e ardhshëm.

Në bazë të këtij vendimi, kurbinasit duhet të zhvillojnë të gjitha ndeshjet e mbetura brenda të këtij sezoni në fushë asnjëanëse dhe pa tifozë, ndërsa bien në renditje nga vendi i gjashtë në të 11-tin, në kuotën e dhjetë pikëve.

Gjithashtu, Komisioni i Disiplinës vendosi për ndëshkimin e presidentit Pashk Laska dhe zyrtarëve të klubit, Ardian Laska dhe Kastriot Rama, me 24 muaj pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 500 mijë lekë gjobë.

Vendimi ndaj tyre parashikohet nga nenet 49.1/b dhe 49.3 të kodit sportiv, pjesë e kapitullin e “dhunës ndaj zyrtarëve të ndeshjes”. Ndëshkohet për të njëjtin argument me 12 muaj pezullim dhe 500 mijë lekë gjobë edhe futbollisti Florian Laska.

Gjyqtari ndërkombëtar i FIFA-s, Lorenc Jemini, u dhunua në fushën e lojës nga tifozëve dhe drejtues të klubit, të hënën, në përfundimin e ndeshjes Laçi-Kastrioti, 1-1. Ngjarja e rëndë u dokumentua nga kamerat e “Top-Channel”.

Top Channel