Dhuna ndaj gjyqtarit të FIFA-s

06/12/2011 15:40

Në mbledhjen e Komisionit Antidhunë pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tema kryesore e diskutuar ka qenë ngjarja e rëndë në ndeshjen Laçi-Kastrioti, fundjavën e shkuar ku është dhunuar gjyqtari i FIFA-s, Lorenc Jemini.

Në një deklaratë për shtyp, zv.ministri i sporteve Dashnor Bajaziti, konfirmon ndërmarrjen e masave konkrete nga Policia e Shtetit.

Drejtori i përgjithshsëm, z Hysni Burgaj, sipas zv.ministrit Bajaziti ka konfirmuar fillimin e procedimit penal për 8 persona si inisiatorë dhe shkaktarë të kësaj dhune.

“Sot ishte i pranishëm drejtori i Policisë z.Hysni Burgaj dhe pohoi se Policia e Shtetit do të marrë masat ndaj Policisë së Laçit që nuk parandaloi dhunën. Janë identifikuar personat shkaktarë të dhunës dhe këta 8 persona do të jenë nën hetim”, theksoi Bajaziti.

Megjithatë deri mesditën e së martës asnjë person nuk ishte i ndaluar nga Policia e qarkut të Lezhës. Disa persona që u shoqëruan ditën e dhunës u lanë të lire pasi sipas policisë nuk kishte denoncim nga personi i dëmtuar.

Bajaziti konfirmoi kërkesën ndërkohë që edhe Komisioni i ka bërë kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe autoriteteve përkatëse për ndryshimin dhe ashpërsimin e masave ndëshkuese për mos përsëritjen e këtyre akteve në fushat sportive.

“Komisioni vendosi t’i rekomandojë institucioneve dhe federatave ndryshimin e legjislacionit duke ashpërsuar masat në rastet e dhunës. I rekomandojmë që rastet e dhunës të dënohen me ndëshkime konkrete”, shtoi Bajaziti.

Ditën e mërkurë më 7 dhjetor, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet dhe Komisioni i Disipilinës, i cili do të marrë masat e tij sportive rreth kësaj ngjarjeje, e cila në bazë të rregullores ndëshkohet nga 8 ndeshje pa tifozë e pezullim fushe deri në përjashtim nga kampionati.

Top Channel