Në Tiranë u zhvillua konferenca për drejtësinë, ku morën pjesë ekspertë për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese.
Ish-presidenti Alfred Moisiu deklaroi se periudha e tranzicionit të Shqipërisë është më e gjata se vendet e tjera të rajonit.
Moisiu tha se ndryshimet më të vonshme kushtetuese u bënë në vitin 2008, vetëm nga 2 parti politike, gjë që sipas tij nuk është e drejtë.
“Duhen kthyer sytë nga Kushtetuta për të analizuar dhe për të bërë ndryshimet e duhura, që do t’i shërbejnë të ardhmes së vendit”, deklaroi Moisiu.
Ish-kreu i shtetit ka bërë disa herë propozime të ndryshme për zgjidhjen e problemeve të drejtësisë shqiptare, që shpesh herë është bërë shkas për konflikte të ashpra politike.
Drejtësia është një nga rekomandimet kryesore të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Në një letër të hapur që eurodeputetët Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda i drejtonin kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës Rama, reforma në drejtësi konsiderohej një domosdoshmëri.
Edhe ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona MacIlwham deklaroi disa ditë më parë se, “drejtësia e fortë është kusht për në BE“.
Top Channel