Ndryshim traktateve të BE-së

24/11/2011 00:00

Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të propozojnë modifikime në traktatet e Bashkimit Europian për të përmirësuar qeverisjen në eurozonë.

Deklarata e tyre erdhi pas takimit të parë me kryeministrin e Italisë, Mario Monti në Strasburg.

“I kemi treguar kryeministrit Monti se Franca dhe Gjermania në ditët e ardhshme do të bëjë propozime, propozime të përbashkëta, për të modifikuar traktatet, me qëllimin për të përmirësuar qeverisjen e eurozonës, kësisoj do të ketë më shumë integrim dhe konvergjencë të politikave ekonomike”, deklaroi presidenti francez, Sarkozi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nënvizoi se nuk do të ndryshohet roli i Bankës Qendrore Europiane.  Modifikimet e traktateve do të propozohen në javet e ardhshme, por deri tani nuk është mësuar asnjë detaj rreth tyre.

Franca dhe Gjermania nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për Bankën Qendrore Europiane, nëse duhet të veprojë si huadhënëse e minutës së fundit apo nëse bondet do të lëshohen nga e gjithë eurozona dhe jo vende individuale.

Sa i takon rolit të Bankës Qendrore Europiane, BBC e ka cilësuar si “marrëveshja për të mos rënë dakort”. Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se për të garantuar pavarësinë e Bankës Qendrore Europiane nuk duhet të bëhen kërkesa pozitive apo negative. Kjo u cilësuar si një armëpushim mes Francës dhe Gjermanisë.

Të mërkuren Gjermania shiti vetëm 3.6 miliardë euro bono me afat 10 vjecar nga 6 miliardë, duke mos arritur të rrisë objektivin e caktuar.  

Shumë analistë, biznesmenë dhe zyrtarë, me kalimin e ditëve, e shohin gjithnjë e më shumë situatën si “loja e fundit për euron”. E thënë me thjeshtë Europa së shpejti do të përballet me të vërtetën. Gjermania s’mund të jetë “parajsa” nëse kriza vazhdon të rrëshqasë”.

Kryeministri italian, Mario Monti u paraqiti programin ekonomik kancelares gjermane dhe presidentit francez gjatë takimit në Strasburg përfshirë edhe vendosjen e një ekuilibri në buxhetin e Italisë në vitin 2013.

“Nënvizoj rëndësinë e interesit që ka Italia, përtej interesave të tjerë që e lidhin me Europën si cdo anëtar tjetër, për të cuar përpara me forcë objektivat që lidhen me konsolidimin e financave të saj publike. Me forcë dhe brenda një periudhe të shkurtër për të konfirmuar objektivat e një buxheti të balancuar në 2013”, tha kryeministri italian, Mario Monti.

Sarkozi dhe Merkel mbështeten kryeministrin e Italisë duke thënë se ai është në rrugën e duhur dhe garantuan përkrahje në përpjekjet e tij, për të reduktuar malin e lartë të borxhit, një prej më të mëdhenjve në botë.

Top Channel