Buxheti, reduktohen disa sektorë

08/11/2011 19:55

Sektorët më të rëndësishëm të buxhetit, si arsimi, shëndetësia, por edhe bujqësia do të marrin vitin e ardhshëm më pak fonde nga buxheti i shtetit.

Shifrat e buxhetit tregojnë se mbështetja financiare për këto sektorë në raport me prodhimin kombëtar do të bjerë në nivelet më të ulëta të viteve të fundit për shkak të gjendjes së vështirë të financave publike dhe përkeqësimit të mbledhjes së të ardhurave, që po bien në nivelet më të ulëta.

Ngadalësimi i ekonomisë dhe përkeqësimi i financave të vendit po godasin fort sektorët prioritar të ekonomisë dhe investimet publike. Për vitin e ardhshëm, investimet e qeverisë në ekonomi do të bien në 69.7 miliardë lekë ose 690 milionë dollarë nga 738 milionë që ishin në planin e rishikuar të këtij viti dhe 825 milionë dollarë në projektbuxhetin fillestar të qeverisë.

Ndaj Prodhimit Kombëtar, investimet e qeverisë në ekonomi ulen nga 5.6 në 5 për qind. Ashtu si investimet edhe disa nga sektorët kyç të ekonomisë si arsimi shëndetësia dhe bujqësia do të marrin vitin e ardhshëm më pak para nga qeveria.

Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, fondet publike për arsimin do të bien vitin e ardhshëm në 2.79 për qind të PBB-së nga 2.91 që ishin në buxhetin e shkuar të korrikut të këtij viti dhe 3 për qind në planin fillestar. Për shëndetësinë, në buxhetin fillestar të 2011 qeveria parashikoi 29.6 miliardë lekë fonde publike ose 2.21 për qind të Prodhimit Kombëtar.

Në korrik, shifra u shkurtua në 2.18 për qind dhe vitin e ardhshëm do të jetë vetëm 2.09 për qind. Bujqësia, që mbetet sektori më i diskriminuar i financave publike do të marrë vitin e ardhshëm 0.48 për qind të PBB-së nga 0.59 në buxhetin fillestar të 2010.

Shkurtimet në fonde, përveç kufizimeve të borxhit, po vijnë edhe për një shkak tjetër. Rendimenti fiskal i qeverisë po bie nga viti në vit. Në nëntor të vitit të kaluar, kur miratoi buxhetin e 2011, qeveria parashikonte të mblidhte 27.1 lekë të ardhura nga taksat dhe burimet e tjera për çdo 100 lekë që qarkullon ekonomia. Por, në korrik shifra u ul në 26.1 për qind të prodhimit kombëtar dhe vitin tjetër do të jetë edhe 0.5 pikë përqindje më e ulët, ose 25.6 për qind, ndër më të ultat e 6 viteve të fundit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA