Siri, vijojnë protestat, sërish viktima

04/11/2011 16:35

Lajmi njoftohet nga grupet e aktivistëve sirianë për të drejtat e njeriut që prej muajsh po protestojnë kundër regjimit të presidentit, Bashar al Asad.

Aktivistët thonë se 7 persona humbën jetën në Homs, 2 në Hama, 2 në Dara dhe nga një viktimë u regjistrua në qytetin e Kanakirit dhe Saqbas.

Por televizioni shtetëror mohoi viktimat duke akuzuar grupet e të drejtave të njëriut dhe televizionet private satelitore, që transmetojnë jashtë Sirisë, se po kërkojnë të mbjellin viktima me synimin e vetëm për të rritur tensionet në vend.

Cdo të premte, mijëra Sirianë grumbullohen në sheshet kryesore të vendit për të protestuar kundër presidentit Asad. E premtja është ditë falje për besimtarët muslimanë dhe pas riteve fetare, besimtarët lënë xhamitë e vërshojnë në rrugët e Sirisë për të disatën javë me radhë.

Asad nuk respekton marrëveshjen me Lidhjen Arabe

Shpërthimi i dhunës vjen në javën e arritjes së një marrëveshje midis Damaskut zyrtar dhe Lidhjes Arabe, plan që duhet të sillte paqen në vend dhe të largonte forcat e ushtrisë nga qytetet.

Sipas dëshmitarëve pamorë, një prej lagjeve të Homsit është dëmtuar veçanërisht rëndë, me shenja të dukshme të goditjeve me predha nëpër pallatet shumëkatëshe dhe me disa banesa të shembura.

Plani i arritur të mërkurën bën lëshime të mëdha për opozitën, madje përfshinte klauzola për më shumë liri të medias dhe për lirimin e disa prej të burgosurve politikë. Megjithatë, sipas grupimeve opozitare, një veprim i tillë është vetëm një taktikë e qeverisë për të fituar kohë.

Që prej fillimit të revoltave në mars, më shumë se tre mijë persona kanë mbetur të vrarë në përleshjet me forcat e policisë, në të njëjtën kohë që me qindra konsiderohen të zhdukur.

Qeveria e presidentit Assad, njeriu që trashëgoi pushtetin nga babai i tij në vitin 2000, thotë se përleshjet janë vepër e “bandave të armatosura” dhe “terroristëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA