Kryetari i qeverisë së përkohshme libiane i bëri zyrtarisht kërkesë NATO-s që të shtyjë misionin e saj në Libi dhe të qëndrojë në vend deri në fund të vitit.
Presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdul Jalil, deklaroi të mërkurën se ndikimi i aleancës ushtrake që ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gaddafit do të ndihmonte Libinë që të vendoste qetësinë në vend.
Gjithashtu, ai kërkoi asistencë teknike, për fillimin e një procesi ambicioz çarmatimi, pasi në vend kanë mbetur stoqe të pafundme armësh nga katër dekadat e armatimit të kryer prej ish-kolonelit.
NATO lajmëroi fillimisht përfundimin e operacioneve në datën 31 tetor, por Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, deklaroi të martën se misioni mund të shtyhet. Për momentin, mungon një qëndrim zyrtar dhe i përbashkët i aleancës.
”Shpresojmë që NATO të vendosë zgjatjen e misionit të tij deri në fund të vitit, për të ndihmuar Libinë dhe vendet tona fqinje”, deklaroi Jalil gjatë një pritje në Katar, ku qeveria e tij u njoh zyrtarisht si i vetmi autoritet i ligjshëm në Libi.
Jalil shtoi se është e nevojshme asistenca e alencës ku edhe Shqipëria bën pjesë, për të siguruar që pjesë nga stoku i armëve të mos transportohen ilegalisht në vendet fqinje si Çadi apo Nigeri, ku ka një prezencë të madhe të militantëve islamikë.
Ish-shefi i sigurimit libian mohon torturat
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Libisë, Moussa Koussa, hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga një dokumentar i BBC-së, rreth torturimit sistematik të të burgosurve politikë gjatë regjimit të Gaddafit.
Krahu i djathtë i kolonelit, i arratisur në Britani në mars, i cilësoi dëshmitë si “keqdashëse dhe të pavërteta”.
Një ish-i burgosur dëshmonte se si Koussa kishte përdorur personalisht disa mënyra torture gjatë marrjes në pyetje, përfshi atë të shkarkesave elektrike në zonat gjenitale të trupit.
“Nuk kam torturuar kurrë asnjeri, nuk jam përfshirë asnjëherë në një aktivitet të tillë dhe vetë shërbimi që unë kam drejtuar nuk e ka patur kurrë torturën si praktike pune”, theksoi Koussa gjatë së mërkurës.
“Që prej largimit tim nga vendi, kam bashkëpunuar me forcat e inteligjencës së shteteve perëndimore për t’i ndihmuar në mbledhjen e informacioneve”.
Top Channel