Me 87 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kongresi i autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës miratoi rezolutën mbi zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri, ndërkohë që rekomandimet siguruan 88 vota pro dhe 2 abstenime.
“Kongresi konsideron se zgjedhjet lokale të 8 Majit u karakterizuan nga një angazhim transparent, por dhe tensione të përjetuara mes dy koalicioneve kryesore: fushata zgjedhore, që duhet të ishte përqendruar në çështjet komunale dhe nevojat lokale, u përqendrua kryesisht në politikën kombëtare dhe mbi akuzat personale mes kandidatëve.”, thotë rezoluta.
“Kongresi shpreh keqardhjen për mungesën e dialogut politik të domosdoshem për një konkurrencë luajale dhe konstruktive zgjedhore. Në këtë drejtim, në interes të komuniteteve lokale, duhen bërë përpjekje për të pranuar të gjitha vendimet konstruktive dhe të shkohet përtej pozicioneve partizane”, theksohet në të.
Delegacioni vëzhgues vizitoi Shqipërinë gjatë muajve prill e maj. 7 ekipe monitoruan ditën elektorale në Tiranë, Durrës, Shkodër, Himarë, Vlorë dhe Elbasan, si dhe zhvilluan takime me përfaqësues të maxhorancës, opozitës, medias e shoqërisë civile.
Në vecanti, Delegacioni i Kongresit:
– Shpreh keqardhjen se fushata zgjedhore, e karakterizuar nga një polarizim i fortë debatesh, reflektoi tensionin ekstrem të situatës politike. Kjo ndikoi negativisht në procesin elektoral. Tensionet e vërejtura gjatë fushatës zgjedhore u konfirmuan gjatë procesit të gjatë e të kontestuar të numerimit.
– Vë në dukje pasiguritë në lidhje me procedurat që sollën shtyrjen e hapjes dhe mbylljes së votimit.
– Vëren se mosmarrëveshjet mes anëtarëve të komisioneve të ndryshme zgjedhore ishin të shpeshta dhe se anëtarët duhet të konsultonin partitë respektive përpara se të shprehnin qëndrimin për rastet e kontestuara. Kjo gjë parandaloi shpesh përmbushjen e afateve të vendosura.
– Shpreh keqardhjes se në Tiranë atmosfera ishte vecanërisht e tensionuar për shkak të polarizimit të fortë politik.
– Beson se në Tiranë sistemi jashtëzakonisht i gjatë i numërimit ishte një burim i rritjes së konfliktit. Kohëzgjatja e numërimit dhe dështimi pasues në shpalljen e rezultateve përfundimtare vuri në rrezik besimin që duhet të kishin pasur qytetarët për ndershmërinë e zgjedhjeve. Të dyja interpretimet partizane për Kodin Zgjedhor dhe për korrektësinë e numërimit janë kontestuar.
Kongresi i bën thirrje autoriteteve shqiptare për vendosjen e një dialogu të mirë politik dhe për ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive.
Me miratimin e rezolutës dhe rekomandimeve ndaj Shqipërisë, Këshilli i Evropës do të hartojë dhe zbatojë një plan aksioni pas-zgjedhor, duke i harmonizuar veprimet e tij me OSBE/ODIHR, Komisionin e Venecias, Komitetin Monitorues, Komitetin e Ministrave dhe organet e tjera të Keshillit te Evropës.
“Duke marrë parasysh sa më sipër, Kongresi i kërkon Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që:
A: Të transmetojë rekomandimet dhe memorandumin e tij shpjegues për autoritetet shqiptare, duke i ftuar ata të marrin në konsideratë sugjerimet e Kongresit dhe në veçanti për të rishikuar Kodin Zgjedhor, nëse kërkohet nga standardet ndërkombëtare ose nga vështirësitë e hasura në veçanti;
B: Të mbështese planin e veprimit pas-zgjedhor të Keshillit të Evropës për Shqipërinë dhe Kongresi të përfshihet plotesisht në të;
C: Rekomandimet dhe memorandumi shpjegues të përcillet në organet përkatëse të Këshillit të Evropës, në Komisionin Evropian për Demokraci nëpërmjet Komisionit të Venecias dhe tek komisioneri për të Drejtat e Njeriut, për veprimet e mundshme te përbashkëta në të ardhmen në favor të Shqipërisë.
Kongresi fton gjithashtu Asamblenë Parlamentare të KiE të marrë parasysh këto rekomandime në kuadër të aktiviteteve monitoruese ndaj Shqipërisë.
Debati mbi Shqipërinë zgjati më pak se 30 minuta, ku folën kryesisht vetëm përfaqësuesit e misionit vëzhgues. Anëtarët e delegacionit shqiptar munguan si në debat dhe në votimin e rezolutës e të rekomandimeve përkatëse të Kongresit mbi Shqipërinë.
Pas miratimit të rezolutës për zgjedhjet e 8 majit, reporterët e Këshillit të Europës që vëzhguan zgjedhjet e 8 majit, deklaruan për Top Channel, se diferenca me 10 e me pas me 60 vota sic ndodhi në Tiranë, nuk të krijon besim për një proces realisht të ndershëm. Për ta, procesi që duket i mbyllur, sapo ka filluar.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel