Lideri palestinez Mahmoud Abbas ka dorëzuar kërkesën e tij në Kombet e Bashkuara për njohjen e shtetit palestinez.
I shoqëruar nga duartrokitje të forta në Asamblenë e Përgjithshme, Abbas i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të mbështesë një shtet me kufijtë vitit 1967.
“Palestinezët kishin hyrë në negociata me Izraelin me qëllime të sinqerta, por ato dështuan për shkak të kolonive izraelite”, deklaroi Abbas.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai ishte përpjekur të binte dakord me palestinezët dhe fajësoi këta të fundit për refuzimin e negociatave.
“Unë vazhdoj të shpresoj se presidenti Abbas do të jetë partneri im i paqes. Le të takohemi këtu në Kombet e Bashkuara. Kush mund të na ndalë?”, tha ai në një fjalim.
Zoti Netanyahu shtoi se bërthama e konfliktit nuk kanë qenë kolonitë, por refuzimi i palestinezëve për të pranuar Izraelin si shtet hebre.
Disa orë pasi mori kërkesën, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ia kaloi atë Këshillit të Sigurimit.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thonë se një shtet palestinez mund të pranohet vetëm nëse arrihet me negociata me palën izraelite dhe jo përmes rezolutave në OKB.
Vetë presidenti Obama i tha zotit Abbas të enjten se Shtetet e Bashkuara do të përdornin veton e tyre në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar nismën. Por Abbas nuk u tërhoq.
“U bëj thirrje anëtarëve të vecantë të Këshillit të Sigurimit që të votojnë në favor të anëtarësimit tonë të plotë në OKB”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme.
“Shpresoj në një miratim të shpejtë. Gjithashtu, u bëj thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende shtetin palestinez që ta bëjnë këtë”, shtoi Abbas, deklarata e të cilit u prit me ovacione.
Top Channel