Minatorët, apel ambasadës së SHBA

14/08/2011 15:00

Kur greva e urisë e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 21, situata paraqitet e njëjtë ende pa zhvillime të cilat do të çonin në zhbllokimin e situatës.

Përballë heshtjes dhe indiferentizmit të organizmave shtetërore, minatorët i janë drejtuar për ndihmë ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu.

Presidenti i Konfederatës, Kol Nikolla, në një deklaratë për median, i ka bërë thirrje Ambasadorit Amerikan, që si mik i shqiptarëve,  të shkonte e të shikonte nga afër realitetin me të cilin ata përballen çdo ditë.

“I bëjmë thirrje publike ambasadorit Arvizu si mik i shqiptarëve që të shohë nga afër realitetin”, u shpreh Nikolla.

Kanë kaluar 42 ditë nga ndërprerja e  punës në minierë, ndërsa 14 minatorë vijojnë grevën e urisë në nivelin e 14 ku gjendja e tyre është rënduar së tepërmi. Mjekët e spitalit rajonal japin alarmin se duhet gjetur një zgjidhje për grevistët pasi trupi i tyre ka humbur imunitet të plotë.

Dështimet e njëpasnjëshme të takimeve mes ACR dhe minatorëve po sjellin një heshtje vrastare për 700 minatorët e minierës së Bulqizës, të cilët ushqejnë rreth 3500 persona të familjeve të tyre.

E hëna është dita kur minatorët duhet të paraqiten për të marrë pagat e tyre në bankomatet e bankave. Por, nga burime brenda kompanisë mësohet se ajo nuk do të bëjë asnjë pagesë për ditët kur nuk është punuar dhe kjo pritet t’i shtojë më tej tensionet në qytezën e minatorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA