Ekspertët sqarojnë se vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e
pensioneve, me 4 dhe 7 % sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e
Financave në të vërtetë është vetëm një indeksim i cmimeve, pasi
inflacioni gjatë dy viteve të fundit llogaritet të jetë 7.5 %.
“FMN flet me terma realë dhe jo nominalë, që do të thotë që për sa kohë që rritja është brenda hapit të inflacionit, prej kohës së rritjes së fundit të pagave dhe pensioneve, nuk quhet rritje, por quhet indeksim. Kjo do të thotë se nuk rritet, por kompensohet për rritjen e cmimeve niveli i pagave dhe pensioneve”, thotë Gjergj Filipi nga instituti Agenda.
Rrogat dhe pensionet kanë pësuar një rritje në vitin 2009, me 8% për pensionet në fshat dhe 10 % për pensionet familjare. Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është theksuar se në arkën e shtetit 1 % e GDP-së shkon vetëm për përballimin e deficit të pensioneve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se borxhi publik i Shqipërisë nuk duhet të kalojë 60 %, ndërkohë që aktualisht është në shifrën e 59.7 % të prodhimit të brendshëm bruto.
Ekspertët kanë theksuar se ulja e buxhetit të shtetit në mes të vitit, tregon papjekuri të mëdha ekonomike të drejtuesve financiarë të vendit.
Kreu i qeverisë në mbledhjen e fundit theksoi se borxhi publik nuk do të rritet dhe se po ndërmerren hapa për shkurtimin e shpenzimeve operative.
Top Channel