Buxheti i krizës tkurr fondin për pensionet dhe pagat

29/06/2011 08:05

Këtë javë, Kryeministri Berisha duhet të vendosë mbi fatin e financave
të shqiptarëve. Është java e fundit e muajit qershor, që e ndan nga
gjysma tjetër e vitit, nga i cili ekonomia shqiptare do të përfitojë më
pak të ardhura dhe investime.

Përtej optimizmit, vendimi kësaj here është tepër i vështirë, pasi në tryezën e Kryeministrit ka mbërritur varianti final i Ministrisë së Financave, ku në thelb propozohet shkurtimi i shpenzimeve me rreth 18 miliardë lekë. Këto reduktime prekin sektorët më prioritarë të ekonomisë, duke nisur me investimet. Janë rreth 9.2 miliardë lekë më pak investime publike, ose 12 për qind minus se plani i fillimvitit, masë kjo që dëmton akoma dhe më shumë biznesin e ndërtimit.

Plani antikrizë, sipas “Shqip”, synon shkurtimin e shpenzimeve edhe për sektorin e pagave e pensioneve. Pavarësisht se dy ditë më parë Kryeministri deklaroi para deputetëve të tij se nuk do të ndalte politikën për rritjen e shpenzimeve sociale, edhe pse FMN-ja nuk e kishte aprovuar, faktet tregojnë të kundërtën.

Gazeta “Shqip” disponon variantin final të buxhetit të rishikuar nga Ministria e Financave, e cila pret firmën e Kryeministrit. Kriza në arkën e shtetit ka prekur në masën afro 30 për qind fondin e përcaktuar për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Këtyre dy kategorive u janë zbritur 900 milionë lekë nga plani, duke mbetur vetëm 2.5 miliardë lekë në dispozicion të 650 mijë pensionistëve dhe buxhetorëve. Në këto kushte qeveria është detyruar që pagat dhe pensionet t’i rrisë jo më shumë sesa është niveli i inflacionit, të paktën 4 për qind, dhe jo 10 për qind, sikurse premtoi Kryeministri. Kriza në buxhet prek edhe fondin e kompensimit të ish-pronarëve, faturat e dritave për pensionistët dhe ndihmën ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA