Lëvizja Vetëvendosje dhe partia FER u bashkuan sot në një forcë të vetme politike.
Liderët e këtyre forcave, deri dje rivale në zgjedhje, u shfaqën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku arsyetuan bashkimin me faktin se, sot më shumë se kurrë e ardhmja e Kosovës është në rrezik, ndaj duhet të ishin së bashku për të ndaluar rrënimin politik, ekonomik e social.
Sipas Albin Kurtit dhe Shpend Ahmetit, Vetëvendosje dhe FER kanë arritur marrëveshje për planin qeverisës, hartimin e Kushtetutës së re dhe decentralizimin në baza qytetare dhe jo etnike.
“Gjatë javëve në vazhdim kjo forcë do të shpalosë pjesë nga programi i përbashkët për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, sovran, funksional, të zhvilluar dhe demokratik. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që në numër sa më të madh t’i bashkangjiten kësaj force”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga lëvizja Vetëvendosje.
FER dhe Vetëvendosje janë forcat më të reja politike që iu bashkuan spektrit kosovar gjatë zgjedhjeve të kaluara, por teksa lëvizja e Kurtit u klasifikua e treta, FER nuk arriti të kalojë as pragun elektoral.
Top Channel