Pandemia coronavirus ka ndërprerë aktivitetet sportive ku futbolli nuk bën përjashtim.

Këto javë në të gjitha vendet ku janë pezulluar kampionatet respektive po diskutohet kryesisht për aspektin ekonomik të klubeve për të evituar kolapsin, por ka edhe një sërë problemesh të tjera që duhen zgjidhur. Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka publikuar një guidë ku ka bërë një sërë propozimesh për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe një prej tyre është çështja e kontratave në skadencë të lojtarëve.

Në përgjithësi, kontratat e futbollistëve kanë si datë skadence 30 qershorin kur mbyllet edhe sezoni, por duke parë situatën aktuale, FIFA propozon zgjatjen e këtyre kontratave deri në momentin e mbylljes së sezonit. Një princip analog bëhet për kontratat që duhet të nisin që do të shtyhen për në momentin kur do të nisë sezoni pasardhës.

Për çështjen e pagave, FIFA inkurajon që klubet dhe futbollistët të punojnë shumë për gjetjen e një marrëveshjeje tani që aktivitetet janë pezulluar. por nëse kjo marrëveshje nuk do të arrihet, FIFA ka vendosur disa kritere për gjetjen e zgjidhjeve të duhura dhe të ekuilibruara për të dyja palët duke vlerësuar vullnetin real të klubeve për të mbyllur çështjen, situatën ekonomike, përshtatjen proporcionale të kontratës dhe diferencat e trajtimit mes futbollistëve. Përsa i përket merkatos, FIFA do të jetë fleksibël dhe do të lejojë spostimin e sesioneve të saj në mënyrë që të jenë në periudhën mes fundit të sezonit të vjetër dhe fillimit të atij pasardhës.

Nëse këto propozime nuk do të zgjidhin të gjitha problemet, të paktën do të shërbejnë për të garantuar një lloj stabiliteti dhe qartësi në futboll për të ardhmen-tha presidenti i FIFA, Gianni Infantino-shpresojmë që këto përpjekje për bashkëpunim të jenë një shembull pozitiv sesi futbolli mund të bashkojë e të shfaqë solidaritet e kompromis për të përballuar kohët e vështira që na presin’.

Top Channel