Sulmuesi i Kombëtares, Llullaku rrëfen ligën bjelloruse

07/04/2020 17:32

Bjellorusia është mes vendeve që ka zgjedhur të mos ndalë futbollin pavarësisht emergjencës globale për koronavirusin, madje presidenti Llukashenko refuzoi të vendosë karantinën duke udhëzuar qytetarët të pinë vodka si kurën më të mirë.

Pandemia është mes shqetësimeve për sulmuesin e kombëtares shqiptare Azdren Llullaku. Bomberi që militon me Shaktjori Soligorskun në ligën bjelloruse rrëfeu dhe situatën e fundit atje.

“Deri tri katër ditë më parë ishte normale, njerëzit dilnin jashtë, luanin futboll me tifozë, shumë restaurante, dyqanet të gjitha të hapura, një gjë që nuk më duket në rregull, por duket se në këto ditët e fundit kanë filluar pak më shumë të kujdesen, po shikoj edhe njerëzi me maska jashtë, tifozët kanë thënë që nuk do të vinë në ndeshje. Kjo është situata këtu në Bjellorusi. Ishalla e kuptojnë dhe shpresoj që e kuptojnë që duhet të kujdesen sa më shumë, sepse gjithë Evropa po ka probleme dhe shpresoj që nuk do të bëhet edhe këtu njëjtë”.

Sulmuesi i kuqezinjve që së fundmi nuk ka patur prezenca, shpreson se Federata do pezullojë futbollin ashtu siç kanë vepruar thuajse të gjitha Federata tjera.
“Ne kemi pasur lojë edhe dje, kemi lojë edhe pas tri ditësh me dyer të hapura me tifozë kështu na kanë thënë dhe s’kemi ç’të bëjmë, do të vazhdojmë të stërvitemi të lozim deri sa të marrin një vendim që të ndërpresin”.

Llullaku është pjesë e klubit të Shakhtyor Soligorsk në Premier Ligën bjelloruse. Në tri takimet e para skuadra e Llullakut ka grumbulluar 4 pikë.

Top Channel