Zyrtare, Flick kalon provën, firmos deri në vitin 2023 me Bayernin!

03/04/2020 21:44

Hansi Flick e ka kaluar provën dhe do të jetë zyrtarisht trajneri i Bayern Munich deri në verën e vitit 2023. Lajmin e mirë për të gjithë tifozët bavarezë e ka zyrtarizuar vetë klubi i Bayernit, një lajm që ka ardhur në një periudhë të vështirë siç është ajo e emergjencës nga koronavirusi.

Hansi Flick e mori drejtimin e Bayernit 5 muaj më parë duke u bërë trajner i parë i skuadrës pas shkarkimit të kroatit Niko Kovaç. Puna e mirë që ka bërë gjatë këtyre muajve e ka shpërblyer me një kontratë të re afatgjatë 55-vjeçarin gjerman.

“Pres me padurim që të përballoj objektivat e radhës bashkë me stafin tim dhe skuadrën”, ishin fjalët e Flick pas firmës ndërsa edhe shefi ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge ishte i lumtur me zgjidhjen.

“Bayerni është shumë i lumtur me punën e Hansi Flik. Skuadra është zhvilluar mirë nën drejtimin e tij dhe luan futboll tërheqës, i cili reflektohet gjithashtu në rezultate. Ne jemi i vetmi klub gjerman ende në garë në tre turne. Mua më pëlqen gjithashtu mënyra se si drejton skuadrën, aftësitë e tij njerëzore janë bindëse”, theksoi shefi ekzekutiv pas firmës mes palëve që kanë zgjedhur këtë bashkëpunim e tashmë mund të planifikojnë qetësisht të ardhmen e klubit.

Top Channel