Formula 1 ul pagat/ Nuk ka më gara dhe reklama, McLaren dorëzohen të parët

02/04/2020 16:01

Coronavirusi nuk kursen as botën e pasur të Formula 1. Edhe në këtë kampionat ka filluar të mendohet për marrjen e masave në aspektin financiar për të evituar një impakt negativ në ekonominë e tyre nga Covid-19.

Në futboll, klube të ndryshme kanë vendosur të reduktojnë pagat për futbollistët apo punonjësit e tyre, një hap që duket se po ndërmerret edhe në Formula 1.

Skuderia e parë që vendosi të ndërmarrë këtë masë është McLaren. Skuderia vendosi që të aplikojë largimin e detyruar të një pjese të punonjësve të saj, ndërsa ata që do të qëndrojnë në shërbim do të marrin një pagë të reduktuar dhe këtu përfshihen edhe pilotët e kësaj skuadre, Carlos Sainz dhe Lando Norris.

McLaren bëri të ditur se këto masa janë pjesë e një plani që do të garantojë kthimin gradual të punonjësve në punë ndërkohë që ekonomia nis procesin e rimëkëmbjes pas kalimit të pandemisë coronavirus. Sipas rrjetit britanik BBC, tashmë Shefi Ekzekutiv i McLaren i ka informuar për vendimin e tij edhe skuadrat e tjera të Botërorit të Formula 1.

Top Channel