Një sektor që rrezikon falimentin, janë agjencitë e udhëtimit. Kjo pasi është ndaluar lëvizja e lirë e qytetarëve në pjesën më të madhe të shteteve. Si rezultat nisin dhe anulimet e grupeve turistike që do të vizitonin Shqipërinë.

“Kemi një kolaps sepse shumë partner ndërkombëtar që sjellin turist në Shqipëri kanë kanceluar udhëtimet, kontratat. Ata kanë të drejtën e tyre që sipas ligjeve për forca madhore që nuk varen prej tyre të kancelojnë pronotimet”, tregon Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar
Frika më e madhe e operatorëve turistik është anulimi i të gjithë sezonit turistik në verë. Kjo do të shkaktonte një dëm të madh qoftë për buxhetin e shtetit por edhe për sektorin më fitimprurës në Shqipëri.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare përfiton rreth 2 miliardë euro nga turizmi. Nëse efekti i pandemisë së coronavirusit zgjat deri në verë, atëherë në arkën e shtetit do të mungojnë pikërisht këto para. Kjo pa llogaritur kostot finaciare që do të ketë sektori i hotelerisë.

Në këto kushte shumë biznese do të falimentojnë. Madje më të riskuarat janë bizneset që kanë kredi. Shumë aeroporte janë mbyllur, mijëra fluturime janë anulluar dhe qyterët kanë mbetur të izoluar.

Njësoj si me hotelerinë, edhe agjencitë e udhëtimit i kanë sytë tek lajmet rreth Covid-19. Nëse gjendja e pandemisë zgjat deri në korrik, siç ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, atëherë kolapsi financiar për ta është i pashmangshëm.

Përveç pezullimeve të disa sektorëve, ende nuk dihet se çdo të bëhet me të punësuarit. Nëse i referohemi sektorit të turizmit, janë më shumë se 150 mijë të punësuar të cilëve ju duhet të rrinë në shtëpi. Por shumë të punësuar ka edhe në transportin publik, në fasoneri apo në sektorë të tjerë. Disa nga bizneset kanë vendosur që tu japin pagën ndërsa disa të tjerë i kanë pezulluar.

Top Channel