Milan shpërdoron një mundësi të artë për të rifituar vendin e gjashtë në Serinë (madje mund të rrëshkasë edhe dy pozicione më poshtë në përfundim të javës së 25-të), pasi u ndal në barazim 1-1 në “Artemio Franchi” përballë Fiorentinës, edhe pse luajti në superioritet numerik për më shumë se 30 minuta, kur ishte në avantazh 1-0.

Një 11-metërsh i shkaktuar nga Romagnoli 5 minuta para fundit të kohës së rregullt, i shndërruar në gol nga Pulgar, i hoqi mundësinë Milanit për të marrë fitoren e dytë radhazi, teksa kishte kaluar në epërsi në minutën e 56-të nga Rebic, që shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes vendase.

Pak minuta pasi kuqezinjtë kishin marrë avantazhin, Dalbert ndërpreu në mënyrë të parregullt avancimin e Zlatan Ibrahimovicit, ndërhyrje që u konsiderua për karton të kuq nga kryesori Calvarese, vetëm pasi u sinjalizua nga zyrtarët në dhomën e VAR-it.

Kujtojmë se në pjesën e parë Ibras iu anulua një gol po nga sistemi VAR për prekje të topit me dorë para se të dërgonte topin në rrjetë.

Fundi i ndeshjes ishte zhgënjyer për futbollistët e Milanit, që nuk ditën të administronin rezultatin, edhe pse luanin me një futbollist më shumë.

Top Channel