Futbollisti i ri Ilija Ivic nga Kishnica afër Gracanicës, në Kosovë, ishte ftuar së fundmi për të luajtur për Kosovën U19. Një ditë pasi mediat e raportuan këtë lajm, nëna e tij u pushua nga puna e saj në Qendrën e Edukimit Kulturor, e cila vepron në (sistemin paralel serb në Kosovë).
17 vjeçari, Ilija Iviç, i cili ka tre vjet që luan te KF Flamurtari i Prishtinës, nuk mund ta imagjinonte që duke postuar në profilin e tij në Facebook një intervistë që ai dha për një portal shqiptar (Telegrafi.com), familjen e tij, por edhe ai vetë, do të kishte probleme të mëdha.
Ai e bëri të ditur se kishte marrë një ftesë nga Federata e Futbollit e Kosovës për të luajtur për ekipin kombëtar e të rinjve, shkruan Zëri i Amerikës.
Ka pasur tituj të shumtë nga disa media të Beogradit që e kanë lidhur negativisht qëllimin e tij për t’u anëtarësuar në Përfaqësuesen e Kosovës.
Tituj e tmerrshëm nga mediat serbe janë përcjellë me ofendime dhe kërcënime të shumta në rrjetet sociale. Dhe ky nuk ishte fundi. Një ditë më vonë, nëna e tij, Tanja Ivic, mori një vendim pushimi. Arsyetimi – tepricë teknologjike. Ajo ka punuar në Qendrën Kulturore dhe Edukative në Graçanicë.
“Në një intervistë jozyrtare mu tha pse e humba punën, më thanë që kjo është arsye e ofertave për pjesëmarrje në ekipin kombëtar. Aktualisht jam e kërcënuar nga ekzistenca në çdo mënyrë, por nuk do të heq dorë. Është në interesin tim që fëmija im të bëjë atë që e do dhe atë që meriton nga puna e tij. Është pak e vështirë për mua të flas për këtë, por ne nuk bëmë asgjë të gabuar. Në të vërtetë asgjë, sepse kur disa njerëz mund të punojnë në institucione në të gjithë Kosovën, nga deputetët e deri në instancat më të ulëta, unë mendoj se ne me të vërtetë nuk kemi bërë asgjë të keqe. Ne duam t’i ofrojmë mbështetje maksimale. Ky është sport, nuk është politikë”, ka thënë nëna e lojtari, Tanja Ivic për Zërin e Amerikës.
Disa media e kanë cituar Federatën e Futbollit të Kosovës duke thënë se edhe babai i Ilijas, Dusko, gjithashtu ishte larguar nga puna. Sidoqoftë, kjo nuk është e vërtetë. Edhe pse ai beson se fati i gruas së tij e pret, ai ende beson se nuk do të ndodhë.
“Është e vërtetë që gruaja ime u pushua nga puna, unë nuk jam pushuar nga puna, por ekziston mundësia që kjo të mund të më ndodh edhe mua. Si prind, nuk kam të drejtë t’ia mohoj të ardhmen një fëmije të talentuar në futboll. Ne nuk jemi të interesuar për politikë, ne jemi të për fëmijën tonë i cili ka pasur mundësinë të përparojë në sport dhe nuk e di kujt mund t’i shqetësojë”, ka thënë Dusko Ivic.
Protagonisti kryesor i kësaj historie është Ilija që nuk dëshiron të shikojë titujt e mediave dhe fyerjet e shumta. Ai thotë se futbolli është jeta e tij dhe asgjë tjetër nuk i intereson.
“Për momentin, unë jam i interesuar vetëm për futboll, pasi ju mund të shihni që unë kam luajtur këtu për tre vjet dhe nuk kam probleme”, ka thënë Ilija Iviç për Zërin e Amerikës gjatë një stërvitje në Prishtinë.
Arbnor Morina, Drejtori Sportiv i Flamurtarit për Zërin e Amerikës thotë se Ilija është një nga futbollistët e rinj më të talentuar në Kosovë dhe nuk i kupton sulmet dhe politizimin e çështjes.
Miqtë e tij e mbështesin
Lojtari i ri ka marr mbështetje të madhe nga miqtë e tij që i kanë thënë që ta vazhdojë ëndrrën e tij, të luajë futboll.
“Unë e mbështes plotësisht Ilijan sepse ai duhet të arrijë ëndrrat dhe qëllimet e tij dhe nuk mendoj se njerëzit e tjerë duhet ta komentojnë fare. Sigurisht, ai duhet të vazhdojë ta bëjë atë dhe të ndërtojë karrierën e tij dhe të ardhmen e tij”, ka thënë Milica Ilic nga Gracanica.
“Ai duhet të luajë sport dhe të vazhdojë me karrierën e tij. Ai duhet të shtyjë përpara deri në fund. Pra, nuk duhet të parandalohet nga askush, jo nga politikanët, ose nga të tjerët që e ngacmojnë. Ai thjesht duhet të vazhdojë të luajë sport”, ka thënën Damjan Markovic nga Graçanica.
Klubi i futbollit Flamurtari ku aktualisht luan Ilija Ivic ekziston që nga viti 1968.
Në këtë klub, shumë serbë të famshëm nga Kosova luanin në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë, si Miško Laković dhe Zoran Dragović.
Top Channel