Dy avionë me qindra shtetas amerikanë nga një anije krocerë e prekur nga koronavirusi në Japoni, kanë mbërritur në SHBA.

Një avion u ul në bazën ajrore të forcave amerikane në Kaliforni dhe një tjetër në Teksas. Pasagjerët do të izolohen menjëherë në ambjente ushtarake, për 14 ditë. Kishte rreth 400 amerikanë në bordin e Diamond Rincess. Anija, me 3700 pasagjerë dhe ekuipazh, është vendosur në karantinë që nga 3 shkurti. 454 janë të prekurit në bordin e saj pasi u konfirmuan së fundmi edhe 99 raste të reja. Përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe vende të tjera si Australia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Hong-Kongu dhe Tajvani kanë vendosur të evakuojnë shtetasit e tyre në karantinë.

Ndërkohë, Kina ka raportuar 248 raste të reja të hënën. Prej tyre, 1933 në provincën e Hubeit, epiqendrën e shpërthimit. Më shumë se 70500 persona në të gjithë kinën janë prekur nga virusi. Vetëm në Hubei, numri zyrtar i rasteve është 58182 dhe 1692 janë viktimat. Pjesa më e madhe e rasteve dhe të vdekurve janë raportuar në Wuhan, qytetin më të madh të Hubeit. Sipas shifrave zyrtare për 16 shkurtin, 100 persona humbën jetën në Hubei, më pak se 139 të regjistruar të shtunën. Sipas zyrtarëve të lartë kinezë, koronavirusi i ri mund të parandalohet dhe është i kurueshëm. Optimizmi i tyre bazohet tek 115 rastet e reja të konfirmuara të dielën, numër në rënie për të tretën ditë radhazi, ndërsa shifra e të shëruarve është rritur në 11145. Pekini po mendon të shtyjë edhe kongresin e partisë, sesionin parlamentar të përvitshëm, për shkak të koronavirusit ndërkohë që Japonia ka vendosur tashmë të anulojë festimet e ditëlindjes së perandorit Naruhito, të parat që prej uljes së tij në fron në maj të vitit të kaluar.

Top Channel