Conte: Skuadra nuk diti të menaxhojë avantazhin, lëshuam në pjesën e dytë

17/02/2020 14:24

Interi pësoi humbjen e dytë sezonale në kampionat teksa u mposht nga Lazio 2-1 në kryeqytet dhe nëse të dielën në mëngjes ishte në vendin e parë, në mbrëmje e mbylli në vendin e tretë, pasi u parakalua edhe nga bardhekaltrit.

Zikaltrit kaluan të parët në avantazh, por në pjesën e dytë gabuan dhe i dhuruan Lazios dy gola, ndërsa ndërhyrja e trajnerit Conte me zëvendësimet ishte e vonuar dhe nuk mjaftoi për të shmangur disfatën.

Vetë tekniku në intervistën e dhënë pas ndeshjes deklaroi se skuadra ishte treguar e paaftë për të menaxhuar avantazhin dhe se kishte lëshuar shumë në pjesën e dytë, duke i lënë shumë terren kundërshtarit.

“Ishte një ndeshje e balancuar, ku të dyja skuadrat kërkonin të fitonin takimin. Ia dolëm të kalojmë në avantazh, por në pjesën e dytë lëshuam shumë dhe për më tepër gabuam në dy momentet e golave, duke i dhuruar fitoren Lazios. Pësuam dy gola që mund të shmangeshin, por lojtarët nuk u treguan mjaftueshëm të qetë. Megjithatë ky është një proces normal rritjeje dhe shumë prej futbollistëve tanë kanë nevojë për eksperiencë”, deklaroi trajneri.

Blerja e bujshme e merkatos së janarit, danezi Christian Eriksen e nisi sërish nga stoli dhe ndonëse bëri shumë pak në fushë, arriti të japë një asist mjaft të bukur për Lukakun në minutat e fundit, megjithatë për Conten, ka ende kohë para se ai të nisë nga minuta e parë.

“Skuadra ka ardhur këtu edhe pa Eriksenin, ndaj nuk duhet ta shohim si shpëtimtar të Interit. Ai ka luajtur shumë pak kohët e fundit dhe për më tepër ka ardhur në një kampionat të ri, ndaj po e integrojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Conte.

Top Channel