Eliminimi nga kupa padyshim që ndryshon sezonin e Partizanit dhe trajneri Sormani nuk mund të mos e pranonte këtë fakt në konferencën për shtyp, një ditë përpara sfidës me Laçin ku 3 pikët për të kuqtë janë jetike sa i përket garës për titull.

“Eliminimi në Kupë nuk i pëlqen askujt por skuadra dha gjithçka me agresivitet në sulm. Nuk i lëmë hapësira kundërshtarit. Sa i përket duelit me Laçin, e njohim agresivitetin e tyre por gjithsesi kam besim tek skuadra sepse po rritemi dhe po zhvillojmë një lojë intensive. Jemi të përgatitur edhe psikologjikisht për ndeshjen të dielën duke qenë se e dimë mjaft mirë çfarë lloj ndeshje na pret aty”, shprehet Adolfo Sormani – Trajner i Partizanit.

Fakti që sulmi vijon të mos jap përgjigjen që të gjithë presin në fushë nuk e shqetëson trajnerin, të paktë kështu u shpreh vetë Sormani duke theksuar se rëndësi ka fitorja.

“Unë e shikoj futbollin ndryshe dhe nuk më intereson kush shënon. Në 3 ndeshjet e fundit kemi shënuar 8 gola sepse ne sulmojmë si skuadër. Ekipi krijon raste dhe kjo më gëzon. Nuk më intereson nëse Trashi Telushi apo Alban Hoxha bën gol apo jo. Unë do të kënaqesha nëse Bardhi do të arrinte të gjente rrugën e golit, për vetë punën e madhe që po bën në skuadër, sikurse edhe Braun dhe Solomon. Përsa i përket Cinarit mund të them se ai vrapon shumë, krijon raste, por e rëndësishme është që të fitojë skuadra edhe pse goli nga ai po mungon dhe e pranoj se na vjen keq për këtë”, thotë Sormani./Sidorela Gjoni/

Top Channel