Në “Top Talk” ishte i ftuar Andi Bushati i cili foli për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe tha që e ka bllof idenë për t’u futur në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij këtë gjë Basha e bën për të mos i dhënë përgjigje militantëve të tij, se përse u ul në tavolinën e bisedimeve me anëtarë të mazhorancës në lidhje me reformën zgjedhore.
Në këtë mënyrë thotë Bushati, kreu demokrat u hedh militantëve të partisë së tij “karremin” e zgjedhjeve të parakohshme. I pyetur nga drejtuesi i emisionit Denis Dyrnjaja se përse i gënjen Basha militantët e tij? Bushati u përgjigj se këtë gjë e bën për të fituar kohë. Basha thotë ai dëshiron t’i fitojë zgjedhjet por nuk është në rrugën e duhur për ta bërë këtë gjë.
Bushati: Unë nuk mendoj se do të kemi zgjedhje të parakohshme. Unë nuk e mendoj, sepse që të ketë zgjedhje të parakoshme duhet të jenë të dy palët. Deri më tani mazhoranca e ka eksluduar. Unë mendoj se ky i Bashës është një bllof. Është një bllof, të cilin Basha po e përdor për një qëllim të caktuar. Basha bëri një vit rrugë radikale dhe papritmas vendosi të hyjë në sistem dhe të ulet në tryezë. Basha pas kësaj kthese 180 gradë duhet të jepte disa përgjigje. Domethënë, Pse u ule? Çfarë arrite? Ku do të arrish? Ti thoshe që është rrezik vjedhja e votës? A po e shmang vjedhjen e votës? Dhe për t’i shmangur të gjitha këto pyetje, çfarë bën? I tregon militantëve të vet karremin e zgjedhjeve të parakohshme, u shpreh ai.
Dyrnjaja: Cili është përfitimit të Bashës që gënjen njerëzit e vet?
Bushati: “Në momentin e caktuar Basha po e bën për të fituar kohë. Unë nuk jam nga ata që besojnë që Bashën e ka blerë Rama dhe nuk don t’i fitojë zgjedhjet. Basha dëshiron t’i fitojë zgjedhjet, po a është në rrugën e duhur për t’i fituar zgjedhjet për këtë nuk jam i sigurt”.
Top Channel