Arsenali kthehet më në fund te fitorja në Premier League pas një ecurisie aspak pozitive prej 3 humbjesh e 4 barazimesh në 7 javët e fundit. Shijon suksesin e parë në krye të “Topçinjve” edhe trajneri suedez, Fredrik Ljunberg, që drejtoi londinezët në triumfin me përmbysje 1-3 në fushën e West Hamit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 16-të.

Në Stadiumin Olimpik të Londrës, në prani të thuajse 60 mijë spektatorëve, Arsenali zhvilloi një ndeshje me dy fytyra. Pjesën e parë e mbylli në disavantazh të një goli, që mban firmën e Ogbonasë, në minutën e 39-të, por gjithçka ndryshoi brenda 9 minutave të çmendura në fraksionin e dytë (nga e 60-ta deri në të 69-ën), me Martinellin, Pepen dhe Aubameyang që përmmbysën shifrat në 1-3.

Një fitore shpresëdhënëse kjo për “Topçinjtë”, që shkojnë në kuotën e 22 pikëve, në vendin e 9-të, 7 pikë më pak se Chelsea, i fundit në zonën Champions.

Top Channel