Bukureshti ishte qytetit që mblodhi zyrtarët më të lartë të UEFA, Federatave të Futbollit në Evropë, trajnerët e përfaqësueseve, teksa në të u hodh edhe shorti i fazës finale të Euro 2020.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit që takuan homologët e tyre e presidentin Ceferin duke përfituar nga rasti për t’i kërkuar UEFA mbështetjen e saj për personat e prekur nga tërmeti.

Për më tepër, FSHF e bëri këtë apel të saj edhe nëpërmjet postimeve në platformat e saj sociale dhe qeveria e futbollit evropian veproi teksa bëri hapin e parë dhe shpërndau këtë apel të Federatës Shqiptare të Futbollit që nga ana e saj falenderoi edhe klubin e Malagës për mesazhin e solidaritetit të shfaqur në fillim të ndeshjes me Numancian.

Ndërkaq, solidaritetit për vendin tonë i është bashkuar edhe një pjesë e tifozerisë italiane. Kështu në sfidën e së shtunës në Marassi mes Genoas dhe Torinos, tifozët kuqeblu shfaqën një banderolë të madhe në mbështetje të të prekurve nga tërmeti ku shkruhej: I jemi pranë popullit shqiptar.
I njëjti mesazh u shfaq edhe në fushën e Crotones që luan në Serinë B ku tifozët e kësaj skuadre u shfaqën duke duartrokitur, ndërkohë që shpalosën edhe banderolën me këtë mesazh solidariteti.

Ndërsa në kampionatin grek, grupimi i tifozëve të AEK, ‘Originals 21’ shpalosi në shkallët e stadiumit një parrullë solidariteti në gjuhën shqipe.

Top Channel