Rregullat tejet të komplikuara të shortit për fazën finale të Europianit të futbollit dhe shpërndarja në shtete të ndryshme si asnjëherë më parë, ka ngjallur polemika që në gjenezën e idesë së UEFA-s. Por tani në fundin e fushatës kualifikuese dhe kur të gjithë finalistë presin me kërshëri të mësojnë shortin e grupeve për verën që vjen, vendet e ulëta evokojnë skandal.

Në Belgjikë dhe Holandë po e quajnë ende pa nisur, një proces të falsifikuar dhe skandaloz atë që pritet të zhvillohet në Romekspo të Bukureshtit mbrëmjen e 30 Nëntorit. Dy kombëtaret në fjalë e njohin grupin e tyre tashmë dhe shumë prej kundërshtarëve që do të luajnë. Belgjika njeh që tani dy prej rivalëve të verës, Danimarkën dhe Rusinë.

“Për mua është një lloj falsifikimi i këtij kompeticioni dhe sinqerisht më duhet ta them se rregullat e kompozimit të grupeve janë skandaloze”, është shprehur Kevin de Bruyne, futbollist i Belgjikës.

Në të njëjtën linjë ishte dhe trajneri i Holandës Ronald Kuman. Sipas formulës sfilitëse të UEFA-s, vendet pritëse të EURO 2020 ishin vendosur më parë në grupe, në rast të kualifikimit eventual, madje kjo u bë edhe për shkak të kufizimeve të përballjeve për motive politike apo diplomatike.

Edhe Franca ka krijuar polemika pasi në 30 nëntor, mbrëmjen e shortit në Bukuresht, trajneri Deshamp do të shkojë vetëm për të mësuar nëse rivali i tretë i grupit, do limitohet në zgjedhje mes Finlandës apo Uellsit.

Top Channel