Kosova është e përkushtuar për të arritur paqe në rajon. Kështu tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, në ceremoninë e ndryshimit të komandës së KFOR-it, ku vlerësoi po ashtu kontributin e këtij misioni si forcë e besueshme për ruajtjen e sigurisë në vend.

“Jam i lumtur të shoh që nga bashkëpunimi ynë ka lindur Ushtria e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës si një forcë profesionale, multi-etnike në shërbim të çdo qytetari të Kosovës. Zhvillimi i Ushtrisë së Kosovës, FSK-së do të thotë që në një ditë në të ardhme të afërt do të realizohet aspirata jonë e drejtë që jo vetëm NATO të jetë në Kosovë, por Kosova të jetë në NATO, që të kontribuojë për paqen me punën e vet”, ka thënë Thaçi.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario foli për kontributin e tij që KFOR-i të njihet si një forcë e besueshme, e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri jo vetëm në Kosovë. Ndërsa komandanti i ri i KFOR, gjeneralmajor Michele Risi tha se shtetet aleate të NATO-s po kontribuojnë për sigurinë e popullatës së Kosovës për ruajtje të stabilitetit të Kosovës, Ballkanit dhe tërë Evropës.

Ish-komandanti i KFOR-it Lorenzo D’Addario ka shërbyer edhe më herët në Kosovë në vitet 1999 dhe 2003-2004, derisa detyrën e komandantit e kishte marrë në vitin 2018.

Top Channel