Gjyqtarja Arta Vorpsi ditën e sotme me anë të një shkrese të noterizuar ka shpallur veten anëtare të Gjykatës Kushtetuese, për të folur për këtë në studion e Top Talk ka qenë i ftuar këshilltari i Presidentit, Ilir Meta, Bledar Dërvishi.

Denis Dyrnjaja:

Formimi i Gjykatës Kushtetuese është shndërruar në çështje ndër institucionale por dhe politike tashmë.

Ndërsa Presidenti i Republikës shpalli me dekret anëtare të kushtetueses Marsida Xhaferllarin, Arta Vorpsi e renditur më lart në pikëzimin në listën e këshillit të emërimeve në drejtësi shkoi para një notereje ku bëri betimin ndryshe nga sa përcakton kushtetuta.

Tani Gjykata Kushtetuese ka hyrë në një histori kleçkash procedurale e juridike.

Për të folur pikërisht në Top Talk kam këshilltarin ligjor të presidentit të republikës, Bledar Dervishi dhe sekretarin për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata njëherësh edhe konstitucionalist.

Zoti Dervishi ndodhemi para një fakti ku kemi tashmë disa anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është legjitim i gjithë ky proces se ndërkohë kemi edhe kontradikta për disa anëtarë të veçantë?

Dervishi:

Denis mund të them që kemi katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese tashmë të zgjedhur sipas kushtetutës dhe ata janë zoti Besnik Muçi i dekretuar nga presidenti i Republikës, dy zonjat Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji të zgjedhura nga Kuvendi dhe anëtarja tjetër zonja Marsida Xhaferllari e zgjedhur nga Presidenti i Republikës ditën e djeshme.

Dyrnjaja:

Arta Vorpsi nuk është anëtare e Gjykatës Kushtetuese me aktin që ka bërë duke deklaruar në noteri me betimin para kushtetutës?

Dervishi: Në qoftë se një deklaratë personale, individuale e hartuar vetë dhe e nënshkruar para noterit dhe e vërtetuar vetëm nga noteri, pra erdhi filan shtetas dhe nënshkroi filan dokument, një deklaratë. Unë nuk mendoj se kushtetuta parashikon këtë linjë, këtë rregull që të bëhesh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

E kemi të përcaktuar aq mirë në kushtetutë dhe aq mirë në ligj në momentin se si fillon të ushtrohet detyra nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.

Unë nuk dua të merrem me kandidaturën e zonjës Vorpsi, por ajo nuk është gjyqtare as e zgjedhur as e vetë zgjedhur për shkak të mekanizmit zhbllokues, të ligjit.

E kështu në këtë mënyrë deklarata të tilla noteriale, unë nuk e di, personalisht nuk do ti pranoja dot.

Top Channel