Foto ilustruese

Tre viktima në aksidente rrugore në 24 orë.

Është ky një bilanc i zymtë në Kosovë, ku zyrtarët thonë se shkaqe të aksidenteve kanë qenë pakujdesia e drejtuesve, humbja e kontrollit mbi automjetin, përdorimi i alkoolit etj.

Sipas zëdhënësit të policisë së Kosovës, Daut Hoxha, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tre aksidente me viktima, 27 me të lënduar dhe 28 me dëme materiale. Policia e Kosovës, kërkon angazhim dhe vigjilencë nga të gjithë, përfshirë institucionet dhe pjesëmarrësit në trafik dhe bën apel për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve për të reduktuar aksidentet me viktima.

Në një apel të saj, drejtuar qytetarëve, policia e Kosovës thotë se pavarësisht masave aktive të marra për një siguri më të madhe në rrugë, humbja e jetëve njerëzore në aksidente mbetet shqetësim për të gjithë.

Ajo ka tërhequr vëmendjen tek respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, kufizimi i shpejtësisë dhe përshtatja e drejtimit të mjetit me kushtet në rrugë, mos përdorimin e alkoolit, përqendrimin e shtuar dhe shmangien e përdorimit të telefonave celularë.

 

Top Channel