Pronën e një zotërie tani e gëzon dikush tjetër vetëm se u tregua më i shkathët për të bërë vetëdeklarimin. Dosja vetëm me foto kalohet në Aluiznin e Sarandës dhe me asnjë dokument tjetër që të vërtetoi pronësinë, bëhet pronar dikush tjetër.

Ky është rasti i Sulo Baçit i cili ankohet në Fiks Fare se shtëpinë e tij tashmë e gëzojnë të tjerët, kjo me ndihmën e Aluiznit Sarandë. Ai tregon se në vitin 2012 ka blerë një pronë në Ksamil, Sarandë te Sotir Vito. Ka bërë dokumentet te noteri, ka paguar 40 mijë euro dhe priste dokumentet e pronësisë.

“Kam blerë një shtëpi në vitin 2012 në Ksamil, në Sarandë, te Sotir Vito, e kam prenotuar. Ishte një objekt trekatësh, ishte në punim e sipër. Unë do bleja apartament dhe i kam dhënë 80 % të vlerës, rreth 40 mijë euro. Edhe 20 mijë euro të tjera do t’ia jepja kur të më jepte Hipotekën. Leja e ndërtimit ishte në emër të Sotir Vitos dhe vazhdova ta përfundoja vetë dhe ai më mori në telefon përfundoje vetë më tha se s’kam lekë””, tregon Suloja.

Sotiri zhduket dhe në “lojë” del vëllai i Sotirit, Vasillaqi. Ky i fundit tregohet më i shkathët, duke bërë vetëdeklarim te Aluizni se godina është e tij. Te Aluizni shkon edhe Suloja, por leja e legalizimit i jepet Vasillaqit, megjithëse nuk ka asnjë dokument që godina është e tij.

“Leja e ndërtimit ishte e Sotirit, firma e Sotirit. Nuk e di si doli leja e legalizimit, por doli kështu. Aluizni më tha ia kam dhënë atyre, do ja marrësh atyre. Më përcollën. S’ma dhanë të drejtën të shkoja në Hipotekë” thotë Sulo Baçi.

Në kohën që Vasillaqi aplikoi për legalizimin e banesës, Hipoteka i kthen përgjigje Aluiznit që toka është okupuar nga Sotiri, por gjithsesi leja e legalizimit del në emër të Vasillaqit. Tani, denoncuesi Sulo Baçi ka ngelur pa asnjë pronë, pasi Vasillaqi e ka nxjerrë jashtë shtëpisë duke i shqyer derën e shtëpisë dhe flakur jashtë.

Çështja shkon edhe në polici, por Vasillaqi deklaron se e ka shqyer derën pasi shtëpia është e tija. Në këto kushte as policia nuk i jep zgjidhje Sulos por i sugjeron t’i drejtohet gjykatës. “Sot e kësaj dite ata e lëshojnë me qira shtëpinë time, megjithë kontratën e dritave dhe ujit që janë në emrin tim. Kërkoj të kthehem në shtëpi, ose të më jepen lekët” përfundon Sulo Baçi.

Gazetarët bashkë me denoncuesin i drejtohen Aluiznit Sarandë për të kuptuar se mbi çfarë dokumentash i është dhënë legalizimi Vasillaqit kur çdo gjë figuronte në emrin e të vëllait Sotirit.

Punonjësi i Aluiznit hap dosjen dhe shpjegon se në vitin 2014 është bërë vetëdeklarimi dhe në vitin 2017 është legalizuar në emrin e Vasillaq Vitos. Gazetarët e Fiksit kërkojnë të dinë se çfarë dokumentash janë paraqitur nga Vasillaq Vito te Aluizni. Në dosje tregon punonjësi janë vetëm vetdeklarimi dhe fotografiitë e shtëpisë. Dokument për pronësinë e truallit nuk ka , por nga një letërkëmbim që Aluizni Sarandë ka patur me Hipotekën ka rezultuar se prona është shtet dhe e okupuar nga Sotir Vito.

Atëherë me të drejtë gazetarët pyesin kur dokumenti tregon emrin e Sotir Vitos si ka mundësi që legalizimi ka dalë në emër të të vëllait Vasillaqit.

” Vasillaqi e vetëdeklaruar” pohon punonjësi i Aluiznit. Gazetarët e Fiksit i tregojnë punonjësit dokumentacionin që zotëron Sulo Baçi ku ka një kontratë e cila vërteton pronësinë me lejen e ndërtimit të nxjerrë në vitin 2000 nga KRRT e Sarandës, ku origjina e truallit del në emër të Sotirit, por ende nuk kuptohet se si pronar del Vasillaqi. Punonjësi i zënë ngushtë shprehet se ai e ka vetëdeklaruar dhe në emër të tij ka dal dhe legalizimi.

” Nuk e di si doli, kjo është dosja dhe nuk e di si është bërë pasi në këtë kohë unë nuk kam pas punuar këtu” shprehet punonjësi. Pyetjes së gazetarëtve se edhe denoncuesi Sulo Baçi ka bërë kërkesë për vetëdeklarim, por nuk i është kthyer përgjigje, punonjësi tregon se kërkesa nuk është trajtuar fare, por ka kaluar direkt në arkivë. Ndërsa për dosjen e paplotë që ka paraqitur Vasillaq Vito dhe që aktualisht gëzon pronën e dikujt tjetër punonjësi i Aluiznit tha:

“Nuk e di si e kanë bërë paraardhësit e mi, mban përgjegjësi ai që e ka firmosur atë dosje!!! Ta zgjidhi në gjykatë… ”

Pra sipas Aluiznit Sarandë nëse një qytetar shkon të vetëdeklaroj një pronë mjafton të ketë çelësat e saj dhe automatikisht e gëzon atë.

Top Channel