Në fund të qershorit të këtij viti ne sollëm në vëmendjen e shikuesve tanë, rastin e Uliksit, djalit nga Tirana, i prekur me hepatitin C.

Virusin, 18 vjeçari e kishte marrë gjatë një transfuzioni gjaku kur ishte fëmijë. Mjekët e diagnostikuan që në 2017, por djali i ri nuk po arrinte të përfshihej në listën e përfituesve. “Nëse nuk e marr mjekimin, nga çfarë kam lexuar, mëlçia ime do të kthehet në kancer”, tha 3 muaj më parë Uliksi, gjatë një intervistë për Top Channel.

3 muaj, pas asaj interviste dhe duke mbajtur vazhdimisht një komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor, u ritakuam me Uliksin dhe nënën e tij Florinën.

“Jam e lumtur. Ditën që më morën në telefon kam fluturuar. Rrugën nga spitali në shtëpi nuk e kam ndjerë, nuk di kë merrja në telefon nga gëzimi. Doja ta merrnin vesh të gjithë familjarët dhe ata që m’I kanë ndenjur afër djalit. Kjo kuti do shërojë dy sëmundje, Hepatitin C dhe stresin që kemi kaluar si familje. Djali do të marrë tre kuti të tilla, për 3 muaj. Vetëm një kuti kushton 12 milionë lekë”, ka thënë Florina Halili, nëna e Uliksit.

“Kjo është jeta imë dhe unë ju falënderoj, sepse bëtë një gjë gjigante për mua. Mesa kam lexuar, dhe siç më tha mjekja, shërueshmëria është nga 97 deri në 100%. Shpresoj edhe unë, të shërohem 100%. Tani më pret shkolla e lartë. Kam fituar të drejtën të studioj Shkenca Politike”, shprehet Uliks Halili.

Top Channel