1 shtetas është arrestuar dhe dy të tjerë po procedohen penalisht, fill pas aksionit policor në aksin Kapshticë-Korçë, ku u sekuestruan mallra kontrabandë; përfshirë këtu produkte ushqimore të ndaluara, një sasi veshjesh, medikamentesh dhe pajisjesh të ndryshme.

Policia ishte informuar se në autobusat e linjave Athinë-Shqipëri dhe Turqi-Shqipëri, transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë.

Kështu, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N.V, 42 vjeç, banues në Korçë. Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: N.B, 58 vjeç, banues në Durrës (me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës) dhe E.Sh, 22 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 kg midhje (shpuese shkëmbi), produkt i ndaluar që prej vitit 2013, për të hyrë dhe për t’u tregëtuar në Republikën e Shqipërisë; një sasi medikamentesh, veshjesh dhe pajisjesh të ndryshme, të cilat shtetasit e mësipërm dyshohet se i kanë kaluar kontrabandë, pa i deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë.

Shtetasi N.B, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në mjetin tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Top Channel