Protesta për ndryshimin e klimës, qytetarët bllokojnë rrugët kryesore në Uashington

24/09/2019 06:07

Protestuesit kundër ndryshimit të klimës dolën në rrugët e Uashingtonit, duke bllokuar kryqëzimet kryesore, si pjesë e përpjekjeve të tyre “për të paralizuar gjithë qytetin”.

Organizatorët u bënë thirrje njerëzve të mos shkojnë në punë ose shkollë por të marrin pjesë në protestë. Grupe tubuesish bllokuan disa rrugë kryesore, duke vënë në lëvizje policinë për të devijuar trafikun.

Aksioni i tyre erdhi pas grumbullimeve dhe marshimeve masive të të rinjve në qytetet e ndryshme të botës, ku morën pjesë qindra mijëra vetë me kërkesen për veprime urgjente kundër ndryshimit të klimës.

Lëvizja e njohur si “Fridays for Future” po pushton botën. Tre ditë më parë, qeveria gjermane dha shenja “zgjimi” në debatin për klimën pasi i hapi rrugën një paketë ligjore për mbrojtjen e saj. Skenari më i keq për klimën parashikon një reaksion zinxhir: Toka mund të ngrohet në 4-5 Gradë, niveli i detit të rritet shumë, dhe pjesë të tëra të planetit bëhen të pabanueshme.

Duke pasur parasysh profeci të tilla apokaliptike, Konferenca Botërore e Klimës në Paris vendosi që të bëhet gjithçka që të kufizohet rritja e temperaturës globale mundësisht nën 2 Gradë.

Sepse akrepat e orës trokasin dhe për ta arritur qëllimin për ngrohjen globale deri 1,5 Gradë ne mund të emetojmë vetëm 8 vjet një sasi të tillë gazi karbonik. Më pas nuk lejohet emetimi i asnjë grami. Që rëndësia e këtyre shifrave ka ndërgjegjësuar shumë njerëz, këtë e tregojnë qartë edhe demonstratat e “Fridays for Future”.

Top Channel