Liliana Çika është artistja e ndjesive dhe e universit femëror në të gjitha ngjyrat e tij. Mjaft e vlerësuar nga kritikët e artit në Itali, ajo vjen me një ekspozitë të parë, “Art” në Shqipëri, duke përmbushur një dëshirë të kahershme.

Jo rastësisht zgjedh qytetin e Durrësit dhe Muzeun Arkeologjik për çeljen e saj. Pas mbarimit të Akademisë së Arteve për skulpturë monumentale, ajo u emërua dhe punoi në këtë muze dhe më pas në muzeun etnografik të Durrësit për 2 dekada, nga viti 1978 deri në 1998, kur vendosi të emigronte në Itali. Kthimi me një ekspozitë dhe mikpritja i kanë dhuruar emocione të harruara.

“Ndjehem shumë e lumtur. Kishte kohë në jetën time që nuk e ndjeja këtë lumturi. Ju falenderoj që të gjithëve për nderin që më bënë. Nuk kam fjalë. Duke parë ovacionin e kësaj ekspozite, shpresoj të bëj një tjetër ekspozitë me veprat më të mëdha që kam në Itali. Dinjitoze shumë më duket kjo”, është shprehur Liliana Çika.

Në kulmin e suksesit të saj artistik, piktorja u godit nga një dramë familjare. Tërhiqet për disa vjet nga bota e artit për t’u kthyer, duke sfiduar vuajtjet dhe sëmundjen e parkinsonit.

“Më ngacmon shumë gjendja sociale, figura e gruas pasi gruaja është ajo që jep jetën dhe duhet ta gëzojë atë. Po rrethanat nganjëherë të krijojnë situata të vështira që e ngacmojnë artistin. Në Itali kam krijuar një skulpturë parku me prostitutat që e kam titulluar Skllavet. E kam shoqëruar me mesazhin: “Errësira fsheh skllavërinë, por edhe ne kemi një shpirt. Na ndihmoni!”

Skulptura pati shumë sukses mes kritikave, po Cika do të donte ta shihte skulpturën e saj në një park që të përkujtojë jetën e shumë vajzave dhe grave që e pësuan në trupin e shpirtin e tyre këtë skllavëri.

Top Channel