Cristiano Ronaldo vijon në rrugën e rekordeve. Këtë radhë, sulmuesi portugez shënoi emrin e tij në futbollin evropian teksa bëhet shënuesi më i mirë në historinë e kualifikueseve kontinentale për të lënë pas irlandezin Robbie Keane.

Gjithçka ndodhi në sfidën e së martës mes Lituanisë dhe Portugalisë me skuadrën kampione në fuqi të Evropës që fitoi 5-1, me 4 gola të yllit të saj.

Me golat e shënuar ndaj Lituanisë, Cristiano Ronaldo arriti në kuotën e 25 golave në fazën e kualifikuese, duke iu shkëputur Robbie Keane që është ndalur në 23 gola. Në total Ronaldo ka 93 gola të shënuar me përfaqësuesen portugeze 32 nga të cilat në 27 ndeshjet e fundit. Objektivi i radhës së 34 vjecarit është të arrijë kufirin e 100 golave me fanelën luzitane.

Por jo vetëm kaq, Ronaldo fituesi i 5 topave të Artë është futbollisti i vetëm që ka shënuar të paktën 1 gol në 4 Evropanë dhe 4 Botërorë radhazi. Në të njëjtën kohë, ai është edhe lojtari që ka shënuar më shumë gola në kampionate Evropiane, 34 duke përfshirë këtu edhe kualifikueset dhe ka luajtur më shumë ndeshje në fazën finale të kompeticionit evropian.

Top Channel