Burri i ministres së Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj ka sulmuar fizikisht zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi.

Incidenti ka ndodhur në ambientet e redaksisë së televizionit T7.

Sipas asaj që raporton Kallxo.com Haki Abazi ka qenë në korridor në dalje të studios pas debatit në T7, bashkë me Rexhep Hotin, dhe Dardan Molliqaj ka shkuar me zë kërcënues, ia ka kapur duart përcjellësi i tij dhe filloi një përleshje fizike.

“Unë kam qenë në dalje, kam qenë duke ecë me Rexhep Hotin, dhe ata më kanë sulmuar”, tha Abazi. Sipas Abazit, lidhur me rastin autori i emisionit Leonard Kerquki, e ka njoftuar Policinë.

Incidentin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki. Për shkak të këtij incidenti, ai tha se nuk do të mund ta vazhdojë emisionin.

“E kishim planifikuar ta vazhdonim pjesën e dytë të emisionit me dy analistët, Jusuf Thaçi dhe Rron Gjinovçit, në fakt gjatë ndërprerjes të shkurtër prej 2-3 minutave ka ndodhur një incident fizik. Z. Haki Abazi thotë se është sulmuar prej Dardan Molliqajt dhe prej shoqëruesit të tij, meqenëse nuk mundëm të flasim me Dardaninin na mbetët që të themi këtë dhe të insistojmë që t’i shikojmë inçizimet, video e kamerave të sigurisë për të parë se çfarë ka ndodhur. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur, nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i këtij emisioni që të vijnë deri në këto situata të tilla”, ka thënë Kerquki.

Kallxo.com raporton se ka tentuar të kontaktojë me Dardan Molliqaj por ai ishtë i padisponueshëm në telefon.

Top Channel