“Habilajt”, 8 vite burg Saimir Tahirit/ Ish-ministri, tre akuza se ndihmoi vëllezërit trafikantë në Vlorë

10/09/2019 19:32

Orën nëntë të kësaj të marte , Saimir Tahiri e kishte pritur gjatë gjithë verës, ashtu sikurse edhe monitoruesit e ambasadës amerikane që nuk munguan edhe gjatë pretencës.

Duke qëndruar tek bllokimi i katër ngarkesave në Itali, por duke mos shpjeguar konkretisht se çfarë kishte bërë ish-ministri i brendshëm në këtë trafik droge, prokurorët kërkuan shpalljen fajtor të Tahirit dhe dënimin e tij me 12 vite burgim, njëjtë sa edhe për ish drejtorin e policisë Vlorë, Jaeld Cela.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar prokurorët nënviziuan zbritjen e dënimit në tetë vite burgim për secilin. Për të mbajtur tre akuzat ndaj ish-ministrit të brendshëm, prokurorët ju referuan përgjimeve ndaj Taulant Haxhirajt e të tjerë , disa kultivues kanabisi në Labëri të cilët flasin për mbështetje policore për të treguar se ish-ministri kishte krijuar lehtësira së bashku me policinë lokale në favor të Habilajve që ata të kultivonin drogë e më pas ta trafikonin.

Por prokuroria në përfundim nuk pati asnjë qëndrim se ku konkretisht kishte influencuar ish-ministri për kultivimin e hashashit dhe shtoi se nuk e përfshinte ish ministrin në kultivim droge veç episodeve të ngarkesave me hashash të bllokuara në Itali, si edhe katër tonet e zbuluara në Babicë.

Në fakt kjo e martë duhet të ishte një ditë e vështirë për ish ministrin e brendshëm, por ajo u kthye e tillë për vetë prokurorët që disa herë u pyetën nga gjykata se për sa episode e akuzonin ish ministrin, të cilët u shfaqën në kontradiktë me njëri tjetrin, njëri shtoi edhe për Babicën të tjerët vetëm për 4 rastet e Italisë.

“Keni harruar ministrin që isha, mos e harroni kurrë atë që isha, ishte një kohë që luftonim Lazaratin, si mund t’i shkelja ndërkohë syrin ca trafikantëve”, tha ai.

Megjithatë Tahiri solli prova që sipas tij tregojnë se Habilajt janë denoncuar nga vetë të akuzuarit Jaeld Çela dhe Gjergj Kohila.

“Ky procedim penal që unë jam sot është nisur nga policët që kanë qenë në varësinë time, e që sot janë të akuzuar bashkë me mua”, tha ai.

Por prokurorët këmbëngulin se janë një sërë përgjimesh që flasin për shefin e madh, por shefi i madh kundërshtohet nga Tahiri, i cili thotë se nuk është ai, për sa kohë dy nga trafikantët kur tregojnë se kishin drekuar me shefin e madh, Saimir Tahiri i tregon prokurorisë të vërtetën e madhe, duke shtuar se ditën kur trafikantët flasin për drekën në fakt ai nuk gjendej në Shqipëri, por në Bruksel.

Ish-ministri kundërshtoi edhe përgjime të tjera që sipas tij nuk janë hetuar siç duhet nga prokuroria, e cila nga ana e saj solli edhe rastet e përgjimeve për dhuratat apo edhe shitjen e audit me targa 003.

“Nëqoftëse prokuroria pretendon se ka një përgjim ku ministri i brendshëm harxhonte 20 milionë euro në fushatë, unë kisha vetëm një muaj në detyrë ndërkohë që unë kisha 29 ditë në detyrë, prokuroria duhet të bënte hatanë nuk duhet të kursente askënd, ç’është ky njeri dhe ç’është kjo parti po të duash që harxhon 20 mln euro në fushatë”, tha ai.

Seanca e radhës u la për në datën 19 shtator ora nëntë, për të dëgjuar mbrojtjen e Jaeld Çelës.

Anila Hoxha

Top Channel