Depresioni dhe problemet sentimentale kanë çuar drejt aktit të vetëhelmimit të dy vajzave 20-vjeçare në qarkun e Beratit.

Adelajda Çaushi, 20-vjeçe,nga fshati Ura e Kuçit në Urë-Vajgurore dhe Anila.K,20-vjeçe,nga lagjia “11 Janari” në qytetin e Kuçovës kanë mbërritur pranë Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit në gjendje të rëndë.

Burimet zyrtare pranë këtij reparti kanë deklaruar se,vajzat kanë pirë medikamente helmuese që përdoren në bujqësi dhe kanë mbërritur në Urgjencën e Beratit në gjendje kritike për jetën.

Të njëjtat burime pohojnë se,vajzave i’u është dhënë ndihma e parë mjekësore pranë këtij reparti dhe më pas janë dërguar me urgjencë me autoambulanca drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Burimet e policisë konfirmojnë se,vajzat janë helmuar në banesat e tyre,në kushte të rënda depresioni.

Dy 20-vjeçaret kanë qënë të fejuara dhe dyshohet se shkak për ndërmarrjen e aktit të vetëhelmimit kanë qënë problemet dhe konfliktet e shpeshta me partnerët e tyre, gjë që është pohuar në polici edhe nga deklaratat e dhëna nga familjarët e dy vajzave.

Vetëhelmimi me medikamente të ndryshme duket se ka pasur një trend në rritje në qarkun e Beratit,ku vetëm këtë vit janë vetëhelmuar rreth 23 vajza nga mosha 18-35 vjeçe,dy prej të cilave kanë gjetur vdekjen pas konsumimit të lëndës helmuese “fostoksinë”.

Top Channel