Fiks Fare denoncoi dy avokatë të njohur në Tiranë dhe Vlorë, të cilët duke bërë “sekserin” e prokurorëve arritën të lironin dhe t’i pezullonin hetimin një qytetari kundrejt pagesës-ryshfet prej 4 mijë eurosh.

Një qytetar ankohet se avokatët Vladimir Sadikaj (Vlora) dhe Baftjar Rusi (Tiranë) i kanë marrë këtë shumë, për t’i pezulluar çështjen që i ishte hapur padrejtësisht nga Policia e Himarës. 38-vjeçari thotë se i kanë fabrikuar disa akuza nga Policia e Himarës për vjedhje, madje i kanë renditur rreth 10 vjedhje të ndodhura në vitin 2018. Sipas tij dhe nga aktet e dosjes, për këto vjedhje nuk kishte asnjë provë, veç një dëshmitari që i kishte bërë njohjen. Madje, gjatë një ballafaqimi të qytetarit me dëshmitarët, këta të fundit i thonë se “na kanë detyruar të bëjmë letrat”. Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiksi arriti të provonte se për lirimin e qytetarit ishin paguar plot 3 mijë euro. Madje, këtë e deklaron vetë avokati Vladimir Sadikaj. Ndërkohë, në biseda, avokati Baftjar Rusi i thotë qytetarit se duhet të paguajë edhe 1 mijë euro, shumë që të mundësonte pezullimin e çështjes.

Qytetari thotë se në datën 23 gusht 2018, pasi ka çuar fëmijët në plazh, është ngjitur në fshatin Vuno, Himarë, ku rreth 50 forca policore e kanë rrethuar. “Erdhën dhe më rrethuan sikur të isha krimineli më i rrezikshëm” thotë ai. Më pas e kanë shoqëruar në komisariatin e Himarës dhe e kanë akuzuar për 10 vjedhje në zonën e Himarës.

“Në polici më thanë se do firmosësh ca letra dhe unë s’kam pranuar t’i firmos. I kam lexuar letrat dhe s’kishte asnjë lloj prove. Kishte vetëm 1.3 gramë kokainë, lëndë narkotike gjatë arrestimit tim. Këtë lëndë e kisha për përdorim vetjak, jam përdorues. Në këtë zonë janë vjedhur vegla dhe materiale dhe siç është vjedhur në shtëpinë time. Në gjithë Vunoin ka vjedhje edhe sot e kësaj dite. Dhe asnjë nuk është zbuluar. Unë dyshoj që shefi i komisariatit dhe shefi i krimeve e kanë bërë personale, s’e di ku bazohen te x banor, më kanë marrë peng. Kanë nxjerrë dy dëshmitarë, babë e bir” thotë ai. Më tej pohon se ka qëndruar 20 ditë në polici dhe ka qëndruar vetëm për lëndën narkotike.

“Për vjedhjet s’më kanë thënë asnjë gjë. Për dosjen e vjedhjeve unë jam thirrur vetëm një herë në prokurori. I kam thënë të gjitha këto që pretendoni, është loja e Policisë së Himarës. Hetimi vazhdon, unë s’kam informacion se ç’bëhet me atë dosje. Unë komunikoj me prokurorinë nëpërmjet avokatit, Vladimir Sadikaj. Është avokat në qytetin e Vlorës, kurse në Tiranë kam Baftjar Rusin. Unë s’kam tërhequr asnjë dokument nga prokuroria dhe s’kam asnjë info nga prokuroria. Prandaj ju drejtova dhe emisionit tuaj se unë s’kam besim te kjo prokurori dhe te kjo polici” thotë më tej qytetari.

Më tej shton se i kanë kërkuar shumë para që kjo çështje të mbyllet. “Unë kam paguar njëherë 3000 euro dhe me është kërkuar prapë tani. 3000 eurot ia kam dhënë avokatit Vladimir Sadikajt, që të mos arrestohem. Nuk e di kujt ja ka dhënë, po ndahen këta, policëve të Himarës. Se ata u kanë thënë dy dëshmitarëve babë e bir që të ma hidhnin fajin mua. Vetëm më atë masë njohje më kanë akuzuar, s’kanë asnjë provë tjetër. 3000 eurot i kam paguar dy javë pasi kam dalë nga burgu, që të mos arrestohesh. Tani më kërkojnë 2000 euro. Këtë shumë e kërkon avokati Vladimir Sadikaj, për pushim çështje thotë, mungesë provash. Unë kërkoj drejtësi, se më ka shqetësuar gjithë familjen, fisin, fëmijët e mi. Këto 7 muaj familja ime ka përjetuar një situatë të paparë, është shkatërruar, totalisht” përfundon qytetari.

Qytetari shkon fillimisht në Vlorë për të takuar avokatin Vladimir Sadikaj. “Njerëzit sot janë të ftohtë, se nuk është koha e Enverit që me një ‘faleminderit’ dhe hajde ikim. Hetimi vazhdoi, u thirr personi që deshëm ne dhe u thirr edhe personi që kishte policia. Dhe ai që kryen hetimet ka dy variante, me kërkesën tonë: O Zotëri, ti do pyesësh filanin apo fistekun, apo nuk do t’i pyesësh. Apo do kërkosh çuarjen në gjyq apo do bësh pezullimin” i thotë ai, duke e pyetur edhe njëherë – “Tani ke dy variante që t’i biem shkurt, se merremi vesh: Do vemi në gjyq të përballemi me ata, të bëjmë luftë e të tjera, të tjera, apo do ta mbyllim. Ky është problemi që ne e diskutuam…”. Më tej i thotë se nëse do që çështja të mbyllet, mbyllet duke bërë edhe disa shpenzime. “Të shtojmë dhe ca shpenzime të tjera dhe ta mbyllim. Që ti të mos figurosh më, se po u hallakatëm nëpër gjyqe, ke faj, s’ke faj!” i thotë avokati qytetarit. Ky i fundit i thotë se sa shpenzime duhet të bëjë, ndërsa avokati i thotë se “i kam thënë Batos, ta thotë shifrën”.

Ndërkohë, pas kësaj bisede, qytetari shkon të takojë dy dëshmitarët. Babai i dëshmitarit i thotë se djali i ka thënë se u ndesha me një burrë të shëndosh dhe me një të dobët. Madje, mbante një kapele republike. Më pas dëshmitari thotë se nëse do ishin kapur, ishin kapur që në fillim. “Tjetër punë ça bëjnë ata r… q… Unë s’merrem as me shtetin, që detyrojnë njerëzit atje të bëjnë letrat. Po të ishte kapur ai muhabet, ishte kapur që në fillim” i thotë dëshmitari. Qytetari i thotë dëshmitarit që ka informacion se i kanë dhënë në polici foton e tij. “Se ça thotë bota, atë nuk e thua ti” i thotë dëshmitari. Ndërsa shton se “mua ma kanë thënë ata atje, se ça nuk bëhet në polici”. Qytetari e pyet edhe njëherë se e ka kapur apo jo me dorë (janë përleshur), dhe ai i thotë se “me mua je i larë. Se ça thonë ata, unë i kam q.r, unë vij edhe në gjykatë. Ça thonë ata ka mbaruar ai si muhabet”. Më tej i thotë se nuk vete më, nuk e marrin dot më me detyrim.

Pasi kishte paguar rreth tre mijë euro për t’u liruar, qytetari është “kërcënuar” sërish nga “sekserët” për të paguar edhe një mijë euro “bakshish” me qëllim që të pezullohet çështja. “Unë i thash, o Lad, atë çështjen ta besova ty, ti më the që e kam mbyllur. E kam mbyllur më tha po më kanë kërkuar diçka. I thashë që ne do të bëjmë nja 100-she europiane dhe t’ja vëmë një kapak asaj se dhe ai është lodhur dhe unë jam lodhur, po të paktën mos na zvarrit më që të mbyllet muhabeti me lesh, me prokurorë…” i thotë avokati Baftjar Rusi qytetarit. Më pas, avokati Rusi telefonon avokatin Sadikaj, dhe i thotë se “për atë që biseduam në mëngjes, do të vij të të takoj. Më dëgjon? Do vij sot!

Në të njëjtën ditë, qytetari shkon në Vlorë dhe takon avokatin Vladimir Sadikajn. “Unë do të flas me atë tani, do t’ia lë në dorë ato (eurot). Fola me botin dhe ma la mua këtë detyrim. Kaq, mbyllet çështja. Se po ma linte zvarrë e zvarrë. Më kupton Ladin. Ti ke hallet e tua, po duhet të më kuptosh dhe mua” i thotë ai, duke i shtuar se “Unë jo ty që të njoha, por Baton e kam mik të vjetër. Ti je miku i tij, je miku im. Unë siç do iki nga ty, do iki direkt t’ja çoj ato. Ku i ke ato?”.

Më pas, qytetari i nxjerr paratë dhe ia numëron. Gjithsej, ai i jep 1000 euro. “Në rregull, nëse të ka thënë aq, aq. Në rregull, t’ia çoj. Po iki direkt…” i thotë avokati qytetarit. Ky takim është realizuar në fund të muajit mars 2019, ndërkohë më pas qytetari ka tentuar që të marrë dokumentin nga prokuroria. Gjatë një bisedë me avokati Baftjar Rusi, ky i fundit i thotë se “Është mbyllur, është pezulluar”.

Pas kësaj telefonate, Fiks Fare dhe qytetari mësojnë se çështja është pezulluar nga Prokuroria e Vlorës. Në dokumentin e prokurorisë thuhet se “nga verifikimi i bërë në regjistrat e kësaj prokurorie figuron të jetë regjistruar: 1- Procedimi për lëndën narkotike, ku çështja është dërguar për gjykim. 2- Procedimi penal me numër 1501 i vitit 2018 për akuzën e VJEDHJES, ku është tentuar të vidhet banesa e një shtetasi në Gjipe, Himarë. Pasi janë kryer një sërë veprimesh hetimore, lidhur me ngjarjen për identifikimin e autorit, deklarimet e palës së dëmtuar, paraqitja për njohje, pyetja e personave të ndryshëm që mund të kenë pasur dijeni për ngjarjen, nuk janë përfituar të dhëna për të identifikuar autorin e kësaj vepre penale.

Në këto kushte, në datën 12 prill 2019, është vendosur pezullimi i hetimeve dhe fashikulli i është dërguar Policisë së Himarës për hetime të mëtejshme” thuhet në Përgjigjen e Prokurorisë që i ka dërguar emisionit “Fiks Fare”.

Pra, në përgjigjen e prokurorisë thuhet se është hetuar vetëm 1 rast, ndryshe nga policia që renditi plot 10 raste. Hetimet që zgjatën plot 7 muaj, u pezulluan vetëm dy javë, pasi qytetari pagoi edhe 1000 euro. Por, në këtë dokument, Prokuroria e Vlorës ka “fshehur” prokurorin që e hetoi këtë çështje.

Avokati – Të kanë akuzuar për vjedhje…

Qytetari – Ti e di historinë, kemi shqetësuar fisin, familjarë… Është halli i madh që na ka rënë, pres prej teje çfarë do më thuash.

Avokati – Unë fola pak me atë shokun,me atë mikun, për atë që bisedova me Baftin, ta them dhe njëherë dhe pastaj vendos vetë. Janë dy variante, se më the edhe një fjalë që unë jam filani. Njerëzit sot janë të ftohtë, se nuk është koha e Enverit që me një “faleminderit” dhe hajde ikim. Hetimi vazhdoi, u thirr personi që deshëm ne dhe u thirr edhe personi që kishte policia. Dhe ai që kryen hetimet ka dy variante, me kërkesën tonë: O Zotëri, ti do pyesësh filanin apo fistekun, apo nuk do t’i pyetësh. Apo do kërkosh çuarjen në gjyq apo do bësh pezullimin. Pezullim do të thotë mos regjistrim të emrit tënd në regjistrin penal. Pra kur të vesh ti te prokuroria, po të jesh me vendbanim në Vlorë apo në Tiranë, ajo futet në sistem dhe thotë, në gjithë prokuroritë e rretheve, rezulton se z.K… A… rezulton nën hetim për mbajtje të lëndëve narkotike. Kjo nuk duhet të dali. Se po të dali kjo s’kemi bërë asnjë gjë, shkon çështja në gjykatë. Pra, për të mos dalë emri për akuzën VJEDHJE. Tani ke dy variante që t’i biem shkurt, se merremi vesh: Do vemi në gjyq të përballemi me ata, të bëjmë luftë e të tjera, të tjera, apo do ta mbyllim. Ky është problemi që ne e diskutuam…

Qytetari – Me cilët do përballemi ne o Ladi?

Avokati – Me dëshminë e tyre! Me dëshminë e atij personi, unë s’e mbaj mend emrin, nuk e kam dosjen, s’e kam lexuar dosjen. Ça mendimi ke?

Qytetari – Po ai dihet botërisht kush është ai more. Me cilin do përballet ai, me mu? Bjeri gjërat drejt, se unë jam lodhur, jam shumë i lodhur me këtë histori dhe i stresuar.

Avokati – Do të vemi në gjyq, apo do ta mbyllim? Këtu është problemi! Se gjyqi do të hallakasë, do të mbaj varur… Prokurori thotë hetohesh…

Qytetari – Po me ça provash do më çosh në gjyq mo vllai i dashur?

Avokati – Deklarimi i atij dhe procesi i njohjes, 176 ta ka shpjeguar edhe Baftjari, se dhe është legjitimuar me kërkesën e prokurorit, kryesisht. Dhe ai ka përcaktuar; personi është ky që kam parë unë te shtëpia! Tani ai është një kokërr legeni, është një kokërr mashtruesi, po tani nuk është deklaruar i papërgjegjshëm nga ligji.

Qytetari – Po ai mund të thojë për tërë fshatin nesër ore! Atij i kanë dhënë foton time dhe dihet botërisht që do dëshmosh kundër këtij personi.

Avokati – Këtë po të them, problemi është diçka tjetër. Tani unë të thash kemi këto dy variante, unë ta shpjegova. Ti më the troç, unë them troç është këto dy variante. Ça do bëjmë?

Qytetari – Më thuaj ti!

Avokati – Ça të them, unë të thash një herë…

Qytetari – Ore jemi keq, do t’i gjejmë o vlla.

Avokati – Këtë po them unë.

Qytetari – Do ti marrim borxh.

Avokati – I thash dhe Batos.

Qytetari – Unë kam 7 muaj o vlla, pa i hyrë hak njeriu që vij lart e poshtë. Ti e ke parë dhe vetë, vetëm naftë e karburant, ka shumë kosto. Jam futur në borxhe… Ne me Baton kështu e lamë, do japësh atë 3-shen që të dhashë dhe do mbyllet ai muhabet.

Avokati – Nuk është e vërtetë.

Qytetari – Jo kështu e lamë ne paraprakisht.

Avokati – Me Baton?

Qytetari – Po.

Avokati – E ke lënë ti me Baton.

Qytetari – Po.

Avokati – Batua e di shumë mirë që kanë qenë për masë sigurie.

Qytetari – Kush kanë qenë për masë sigurie?

Avokati – Ato muhabetet more, mos të flasim këtu. Mos të dyshojmë te njëri tjetri, se nuk e di ça më kanë vënë këtu, se mban çelësin pastruesja. Mos t’ja fusin njëri tjetrit, as Batos as Ladit as këtij nipçes që është këtu. Problemi është i tillë, të kam bërë një muhabet atje dhe ai qëndron. Do ta mbyllim këtë muhabet, e mbyllim kështu.

Qytetari – Si mbyllet o vlla?

Avokati – Ia kam thënë Batos, të thotë Batua. Mbyllet kështu. E kupton?

Qytetari – Ok.

Avokati – Të shtojmë dhe ca shpenzime të tjera dhe ta mbyllim. Që ti të mos figurosh më me … Se po u hallakatëm nëpër gjyqe, ke faj, s’ke faj, oo ky është! Dhe me trupin tënd dhe me sjellën tënde, ky e ka bërë i ka q… m… se kështu flasin këtu në Vlorë, e kupton ti?! Po këta t’i fusin të gjitha. Këtu është problemi. Tani më thuaj mua…

Qytetari – Tani më vër një numër mua…

Avokati – I kam thënë Batos, ta thotë numrin. I kam thënë dhe atje.

Qytetari – Jo s’më ka thënë gjë. Është mbyllur…

Avokati – Tani Batua e di, ia kam thënë. Ose do të vij Batua se ka një gjyq tjetër, lërja Batos ato, të vijë vetë. Po në telefon jo, jo po kjo pffff… Jemi të gjithë nën hetim o vlla.

Qytetari – Nëqoftëse unë të jam afruar ty te dera e shtëpisë, ti ma thuaj, dhe çunin pyete mirë në më ka parë tamam.

Babai i dëshmitarit – Ti mban kapele republike behari apo s’mban?

Qytetari – Unë kapele republike?! Po edhe me mbajt kapele republike! Te kapelja më ke njoft ti mu?

Babai i dëshmitarit – Jo te kapelja, te trupi, te njeriu.

Qytetari – Po si?

Babai i dëshmitarit – Një i shëndosh, një i dobët.

Qytetari – Një i shëndosh, një i dobët dihet që ne kemi 1 vit që rrimë këtu. Kjo s’është argument. Unë jam njeri familjar, kam dy fëmijë dhe s’kam nevojë për kasmat dhe lopatat e njeriu këtu.

Dëshmitari – Është lënë muhabeti, muhabeti po qe për të kapur ishte kapur që në fillim. Ne e lamë, tjetër gjë ça bëri shteti më mbrapa, ça bëjnë ata r… q…, po të ishte kapur ishte kapur që në fillim. E kupton? Mua s’më intereson, unë s’merrem as me shtet, u kam q… g… atyre atje, që bëjnë letrat atje, që detyrojnë njerëzit të bëjnë letrat.

Qytetari – Informacionet i kam që të kanë dhënë foton time që të vish atje në Vlorë?!

Dëshmitari – Se ça thonë bota, atë nuk e thua ti.

Qytetari – Nuk e thotë bota.

Dëshmitari – Mua ma thanë edhe ata në Dhërmi ku erdhën.

Qytetari – Ça të thanë?

Dëshmitari – Se ça bëhet 5 minuta në polici, 10 më pas e merr vesh fshati. Se ça thonë ata… unë them këtë, u kam q… r…, unë vij dhe në gjykatë, ku të duan ata. Ça thonë ata ka mbaruar më ai si muhabet. Unë po të ishte, se ti këtu je, edhe unë, dhe unë në Tiranë jetoj, do të kisha kërkuar. E kupton? Po të ishte puna aty.

Babai i dëshmitarit – Po të hedhësh firmën atje, ka një problem ajo. Nuk tërhiqet kollaj ajo, futesh ti në burg.

Dëshmitari – Mirë o mirë. Unë s’vete fare në gjykatë po të jetë për atë punë.

Babai i dëshmitarit – Vete, s’vete të marrim me detyrim ata.

Dëshmitari – Po s’më marrim mua me detyrim fare, se s’vete më unë e kupton. U kam q… r…, s’vete më. Po dhe ata të më thirrin, po të vijnë këtu s’më kërcënojnë. Falemindërit.

Qytetari – Ju ectë mbarë! Kalofshi mirë.

Avokati Baftjar Rusi – Unë i thash, o Lad, atë çështjen ta besova ty, ti më the që e kam mbyllur. E kam mbyllur më tha po më kanë kërkuar diçka. Unë kam folur më tha me miqtë. Unë nuk e di ça kërkoni se unë po e pres. I thash që ne do të bëjmë nja 1-mijshe europiane dhe t’ja vëmë një kapak asaj se dhe ai është lodhur dhe unë jam lodhur, po të paktën mos na zvarrit më që të mbyllet muhabeti.

Qytetari – Po një 1-mijshe e kam unë, nuk është problem. T’ja çoj direkt unë?

Avokati Baftjar Rusi – Ndoshta ai është në pozitë, se punë k… është kjo punë.

Qytetari – Ia çoj unë, s’është problem.

Avokati Baftjar Rusi – … me lesh, me prokurorë…

Qytetari – Nuk është problem fare o Baftjar, ia çoj unë. Po lidhu ti, thuaj që fola me atë. Po qe ashtu për plakun, se mu çmënd plaku. Më luajtshi mëndsh.

Avokati Baftjar Rusi – I thuaj mos të bëhet merak plaku, mbarojë vet muhabetin i burrë. Se plaku nuk është mosha jote.

Qytetari – Po i thuaji jepi atë letrën se kemi 7 muaj që na ka ik mëndja o burrë. Po ashtu të iki nesër unë o burrë?

Avokati Baftjar Rusi – Po mirë, ndaç sot, ndaç nesër, ja ti them. Çoja sot…

Qytetari – Po ja çoj unë, s’është problem.

Avokati Baftjar Rusi telefonon avokatin Vladimir Sadikaj

Avokati Baftjar Rusi – O Ladi?

Vokati Vladimir Sadikaj – Urdhëro?

Avokati Baftjar Rusi – Më dil pak në uacap, të marr për pak…

Avokati Baftjar Rusi – Më dëgjon? Alo…

Avokati Vladimir Sadikaj – Po, po.

Avokati Baftjar Rusi – Për atë që biseduam në mëngjes, se e kam K… këtu, do të vij të të takoj. Më dëgjon? Do vij sot! Në rregull?

Vokati Vladimir Sadikaj – Po, po.

Avokati Baftjar Rusi – Ik, vrap…

(E telefonon dhe i thotë të vij te Skela)

Qytetari – Lado.

Avokati Vladimir Sadikaj – Mirë ne tullacëve, me syzë dhe kapele as mua s’më njeh njeri. Unë do të flas me atë tani, do t’ia lë në dorë ato. Fola me botën dhe ma la mua këtë detyrim. Kaq, mbyllet çështja. Se po ma linte zvarr e zvarrë. Më kupton ladin. Ti ke hallet e tua, po duhet të më kuptosh dhe mua.

Qytetari – Aman o burrë, se më është sëmurur plaku me këtë muahet. E di sa keq e kam plakun, e kam për spital, të marr atë letrën.

Avokati Vladimir Sadikaj – Dëgjo mua këtu. Unë jo ty që të njojta, por Baton e kam mik të vjetër. Ti je miku i tij, je miku im. Unë siç do iki nga ty, do iki direkt t’ja çoj ato. Ku i ke ato? Me këtë makinë ishe edhe dje…

Qytetari – Ee (Numëron eurot…)

Avokati Vladimir Sadikaj – Ç’mi tregon.

Qytetari – 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10. (1000 euro). Kaq më tha Batua.

Avokati Vladimir Sadikaj – 10 ëëë?

Qytetari – Po.

Avokati Vladimir Sadikaj – Në rregull, nëse të ka thënë aq, aq. Në rregull, t’ja çoj…

Qytetari – Në rregull.

Avokati Vladimir Sadikaj – Po iki direkt… Merri ato, po iki direkt. Mos rri më.

Qytetari – Po, iki. Në rregull.

Qytetari – Bafjar si kalove.

Avokati Baftjar Rusi – Ça bon ti mirë?

Qytetari – O Baftjar?

Avokati Baftjar Rusi – Hë?

Qytetari – Jam këtu në Fier, po iki për në Vlorë. A të iki vetë të prokuroria ta kërkoj vetë atë letrën?

Avokati Baftjar Rusi – Jo mo, takojë çik Ladin, kur të jesh me të më bëj telefon. Mirë? Se flas unë!

Qytetari – Po thuaj atij të më takojë, se ai më thotë ik në rregull dhe këtu ka mbetur ajo punë o burrë.

Avokati Baftjar Rusi – Po jo mo se është mbyllur ajo po lëje ti.

Qytetari – Është mbyllur?

Avokati Baftjar Rusi – Ëëë. Është mbyll, është mbyll.

Qytetari – Do ja bësh një zile, të lutem…

Avokati Baftjar Rusi – Është pezulluar.

 

 

Top Channel