Nisur nga rasti “Mihal Kokëdhima”, një ngjarje e denjë për filmat hollywood-ianë, në çelje të sezonit të ri të emisionit “Top Talk” u ftua sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili dënoi rastin e dhunës ndaj turistëve spanjollë.

Përsa i përket dërgimit të luleve ndaj turistëve të dhunuar, gjatë takimit të këtyre të fundit me ministrin e vendit, Klosi u shpreh se buqeta e tij nuk e zhbën gjestin e Mihal Kokëdhimës.

“Mbase buqeta mund të mos dilte fare në media”, shtoi Klosi duke  thënë se sidoqoftë, turistët e ndanin krejtësisht ngjarjen në fjalë nga realiteti në Shqipëri.

I ndërgjegjshëm se në fund të ditës, është videoja horror ajo që do të mbahet mend dhe jo buqeta, Klosi deklaroi:

“Ajo që ndodhi na bëri të kuptojmë se sa shumë problematika ka dhe se sa i brishtë është ky moment në vendin tonë. Në qoftë se ne nuk arrijmë të vendosim rregulla të reja loje, në qoftë se ne nuk arrijmë të kuptojmë se ka ardhur koha për rregulla, në qoftë se nuk kuptojmë që kemi nevojë për një strukturim të ri të turizmit shqiptar, mbase do të ketë më shumë turistë gjatë vitit por problemet do të jenë më të mëdha.”

Top Channel