Mijëra fansa të Disney-t janë mbledhur në Kaliforni, për “D23 Expo” që do të zgjasë tre ditë. Këtë vit, e gjithë vëmendja është drejtuar tek filmi i paralajmëruar Frozen 2 dhe platforma e re video e Disneyt, “Disney+” që do të lancohet në nëntor.

“Nuk e di saktësisht se çfarë do shoh, por jam shumë i entuziazmuar me atë që po bëjnë me Frozen 2. Jam shumë i entuziazmuar për filmin e ri. Gjithçka që kam parë deri më tani duket e jashtëzakonshme. E adhuroj me të vërtetë Frozen dhe ndjej një lidhje speciale me të pasi me origjinë jam nga Norvegjia”, thotë një fans.

Me shumë padurim pritet platforma e re Disney+ që duket se ka që tani fansat e vet. Bëhet fjalë për një platformë online, të ngjashme me Netflix, por me Disney-n dhe pafundësinë e filmave që ai ka në videotekë, gjithçka merr të tjera përmasa.

D23 Expo,  është eventi më i madh për fansat e Disney-t në botë dhe mbledh botët e mrekullueshme të kompanisë The Walt Disney, nën një çati, përfshirë më të mirën e Disney-t, Marvelit, Pixar dhe Star Wars në filma, televizion, parqe tematike, produkte, online, muzikë, argëtim live etj.

Top Channel