Pas anulimit muajin e kaluar, Bashkia e Tiranës rihapi tenderin për ndërtimin e 4 shkollave me koncesion në kryeqytet, përkatësisht në Njësitë Administrative 2 dhe 8. Sipas dokumenteve të dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit për ndërtimin e 4 objekteve arsimore është parashikuar 1.74 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 14.3 milionë euro, me një kosto mesatare prej 3.5 milionë euro për çdo shkollë.

Kjo është hera e tretë që bashkia shpall thirrjen për ndërtimin e katër shkollave me koncesion në njësitë administrative 2 dhe 8. Tenderi i parë u zhvillua vitin e kaluar me fond limit 1.42 miliardë lekë dhe dështoi. Në tenderin e dytë që u zhvillua para dy muajsh, fondi limit u rrit në 1.73 miliardë leke, por edhe ky u anullua për shkak se asnjëra nga ofertat nuk përmbushte kriteret e paracaktuar.

Sipas dokumentave të dorëzuara në agjencinë e prokurimeve, koncesioni parashikon ndërtimin me të ardhurat e privatëve të dy shkollave 9-vjeçare dhe dy gjimnazeve në zonën e “5 Majit”, Drejtorisë së Higjienës dhe në Njësinë Administrative Dajt, pranë rrugës “Sotic Caci”.

Ky është loti I radhës, i një projekti që parashikon ndërtimin e 17 shkollave të reja me koncesion në Tiranë. Privatët t’i ndërtojnë objektet arsimore me paratë e tyre brenda një afati prej 18 muajsh, duke përfshirë edhe mobilimin dhe pajisjen me laboratore dhe do ti mirëmbajnë objektet për 7 vjet.

Sipas të dhënave në relacionin e projektbuxhetit, ndërtimi i 17 shkollave në kryeqytet do të ketë një kosto totale prej 10.1 miliardë lekësh, të cilat bashkia do I paguajë me këste për 7 vjet nga paratë që mbledh përmes taksës së arsimit.

Top Channel