Boris Xhonson është quajtur si Trump-i i Britanisë nga vetë presidenti amerikan, i cili e ka shprehur disa herë mbështetjen për të.

Në fakt, midis dy politikanëve ka shumë ngjashmëri, dhe jo vetëm nga modeli i flokëve. Të dy kanë histori nga bota e shoubizit, si dhe talent për të fituar vëmendjen e publikut me mënyra tepër të qortueshme.

“Një burrë shumë i mirë do të jetë kryeministri i ri i Britanisë, Boris Xhonson. E quajnë edhe ‘Trump-i i Britanisë’”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, kur konservatorët britanikë votuan për zëvendësuesin e Tereza Mejit.

Ngjashmëritë mes të dyve janë të shumta. Përveç ngjyrës dhe modelit të flokëve, të dy kanë histori në botën e shoubizit: Trump nga “Apprentice” dhe Xhonson nga konkursi televiziv “Kam Lajme Për Ty”, ku shfaqej herë pas here në mënyra komike.

Të dy kanë bërë komente që janë interpretuar si fyese dhe denigruese ndaj pakicave etnike: Trump për Ilhan Omar e kongresmenet e tjera amerikane, ndërsa Xhonson është shprehur disa herë me epitete fyese ndaj homoseksualëve, ka thënë se gratë me veshje myslimane janë “si kuti postare”, dhe “si hajdutë bankash”, etj.

Të dy kanë reputacion për deklarata të pavërteta. Xhonson u pushua nga puna si gazetar i “The Times” pasi u vërtetua që kishte gënjyer. Më pas gënjeu prapë për lidhjen jashtë martesore kur ishte deputet i konservatorëve.

Por më e rëndësishmja, të dy kanë marrë famë nga moda më e fundit, ajo e politikës populiste, retorikës së ashpër nacionaliste. Trump-i e bëri me “Amerika e Para”, ndërsa Xhonsoni ka qenë aktiv me fushatën në favor të Brexit.

Megjithatë, Xhonson është parë edhe si liberal i maskuar, pasi shumë politika të tij kanë qenë më liberale se të Trump-it. Ndryshe nga Trump, Xhonson ka mbështetur dikur liberalizimin e emigrimit në Britani, dhe kur ishte kryetar bashkie i Londrës bënte thirrje për amnisti ndaj emigrantëve të paligjshëm.

Ndonëse tani njihet më shumë për mbështetjen e fortë ndaj Brexit-it,  Xhonson nuk ka qenë mbështetës i nacionalizmit në të shkuarën. Në fakt, para Brexit-it, Xhonsoni thoshte që Britania duhej të vazhdonte të ishte e lidhur me Europën dhe shprehej në favor të tregut të përbashkët.

Por këto qëndrime duket se kanë ndryshuar rrënjësisht kohët e fundit, pasi ai ka këmbëngulur se Britania do të shkëputet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Por kolegët e tij mendojnë se edhe ky qëndrim ka për të ndryshuar, gjithashtu.

Ndryshimet e shpeshta kanë bërë që edhe njerëzit që ka pranë të mos jenë të sigurt për llojin e kryeministrit që do të jetë. Do të zbatojë retorikën e egër e të shkaktojë një shkëputje të ashpër të Britanisë nga BE-ja? Apo do të bëjë një kthesë të fortë duke synuar që të fitojë edhe zemrat e liberalëve?

Ajo që dihet me siguri, është që instinkti i parë i Xhonsonit është t’i bëjë qejfin turmës. Nëse vihet përballë zgjedhjes “të kënaq partinë apo  publikun në mbarë vendin”, shanset janë që të zgjedhë të fundit. Ai është gjithnjë i lumtur kur brohoritjet e mbështesin, ndaj nuk ka kursyer asnjë rast që t’i kthejë takimet zyrtare në momente komike përpara kamerave.

Por me krizën që ka krijuar Brexit tani, këto shaka do të ishin pa vend. Detyra e radhës është shumë e rëndësishme dhe e vështirë për udhëheqësin e Britanisë: ta shkëpusë vendin nga BE-ja pa përçarë partinë dhe ekonominë e vendit.

Mbështetësit më konservatorë duan që Britania të shkëputet nga BE-ja me çdo kusht, cilatdo qofshin pasojat. Këto shprehje edhe Borisi i ka përsëritur disa herë. Por një dalje kaotike që mund të shkaktonte probleme me tregun dhe me humbjen e vendeve të punës, do të ishte mënyrë katastrofike për të nisur mandatin si kryeministër.

Gjasat janë që kryeministri i ri i Britanisë ta gjejë veten shumë shpejt midis të pamundurës dhe të pakëndshmes. Do t’i duhet shumë forcë për të dalë nga ajo situatë, por, ashtu si me Trump, nuk mund të përjashtohet që dhe Borisi t’ia dalë mbanë.

Adam Bienkov, Business Insider

FOTO GALERI
1/31

Top Channel