Historia e Burhan Lleshit daton rreth 22 vjet më parë , fiks në vitin 1997. Në ato kohë të vështira për gjithë shqiptarët Burhani depoziton një shumë prej 100.000 lekësh në Bankën Kombëtare Tregtare.

Kjo depozitë u bë si garanci kundrejt Bashkisë Tiranë për një leje ndërtimi e cila nuk u aprovua kurrë. Si rrjedhojë e emigrimit të tij në vitin 2002 z. Lleshi paraqitet pranë BKT-së dhe kërkon të tërheq shumën të cilën kishte depozituar me mandat arkëtimi të cilën me shumë vështirësi e kishte tërheq nga bashkia ku e kishte dorëzuar.

Asokohe banka i kthen përgjigje se nuk ka asnjë dokument dhe nuk mund ta provojnë dot se kjo derdhje është bërë, kjo si pasojë se në 2001 banka nga shtetërore është privatizuar. Në këto kushte pas kaq vitesh përpjekje Burhan Lleshi i drejtohet Fiks Fare për ndihmë.

Me ndihmën e gazetarëve të Fiks Fare Burhani i drejtohet degës nr 2 të BKT-së ku takon drejtorin e kësaj dege. Ai i shpjegon se edhe pse Burhani ka paraqitur mandatin i cili është me vulën e bankës askund nuk janë gjetur dokumente për të vërtetuar depozitimin e tij nga ana e bankës.

“Me anë të mandatit që na solle unë i kam kërkuar sensibilizim maksimal bankës dhe kemi kërkuar, por nuk kemi gjetur asnjë dokument” shprehet ai në video.

Ai i shpjegon politikën e bankës që pas 5 apo 10 vjetësh ata i djegin dokumentet, dhe në rastin konkret dokumenti nuk gjendet, pasi atëherë banka ka qenë shtetërore dhe mund edhe të jenë asgjësuar dokumentet. Ndaj për të gjetur dokumentacionin e plotë nëse ai ende ekziston Burhani duhet t’i drejtohej instancave shtetërore apo Arkivës së Shtetit, pasi banka nuk e gjen depozitimin e tij dhe nuk është e sigurt se këto lekë janë depozituar ose edhe mund të jenë tërhequr.

Në këto kushte Fiks Fare i drejtohet BKT-së me një shkresë zyrtare ku i kërkon informacion se çfarë është bërë me rastin e zotit Burhan Lleshi, por në përgjigjen e saj banka shprehet se nuk mund të jap përgjigje në lidhje me depozitën e klientit, pasi kjo është një shkelje e privatësisë dhe e besueshmërisë midis marrëdhënies ‘Bankë-Klient’.

Por gazetari kontakton direkt me të njëjtin drejtor që dhe zoti Burhan ka kontaktuar dhe ai shprehet për Fiksin se banka është interesuar për rastin në fjalë dhe e i ka kthyer përgjigje klientit dhe e ka sqaruar.

Por me t’u marrë vesh që Fiks Fare po investigonte mbi rastin e zotit Burhan , BKT ka telefonuar klientin dhe i ka kërkuar që të paraqitet pranë filialit të bankës. Ata i thonë z. Burhan se do i kthejnë shumën e depozituar, por pa interesa.

Gjithashtu ata i pohojnë se banka do të rifilloj sërish investigimin mbi këtë çështje. Më në fund falë Fiks Fare pas 22 vitesh Burhan Lleshit i rikthehet shuma prej 100.000 lekësh e depozituar që në vitin 1997.

Top Channel