Kanë nisur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë intervistat me kandidatët e radhës që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e SPAK. Top Channel ka zbardhur diskutimet që po zhvillohen në mbledhjen me dyer të mbyllura dhe pyetjet që po u drejtohen kandidatëve. Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana janë pesë kandidatët që po intervistohen sot.
Në seancat me dyer të mbyllura, përveç anëtarëve të KLP-së, pyetje bëjnë edhe dy vëzhgueset e huaja të Euralius dhe Opdat.
Prokurori Ened Nakuçi – Prezantoi dosjet që ka hetuar ku përfshihen operacioni ‘Sunrise’, arrestimi i Fatos Selmanit, çështja e Klemend Balilit dhe çështja që njihet si ‘Hakmarrja për Drejtësi’. Gjatë intervistës ai është pyetur dhe ka folur për marrëdhëniet juridaksionale me autoritetet e huaja, si dhe për kërcënimet e vazhdueshme nga grupet kriminale që ka hetuar.
Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Enkeleda Xhengo– Pyetjet e KLP-së kanë qenë të përgjithshme: A keni ndjerë presion dhe ka ndikuar në vendimarrjen tuaj? Çfarë mendoni se duhet të funksionojë më mirë në bashkëpunim me autoritetet e tjera? Çfarë kontributi mendoni se do t’i jepni SPKA-ut? Si i vlerësoni rezultatet tuaja të arritura deri tani?
Prokurori Klodian Braho – Ka hetuar funksionarë të lartë shtetërorë si prokuror në Gjykatën e Apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Lartë.
“A ka patur paragjykime për ju ashtu siç ka për sistemin e Prokurorisë?”, ishte një prej pyetjeve që iu drejtua Brahos nga anëtarët e KLP-së. Ka patur raste, është përgjigjur prokurori, por rezultatet e punës time kanë qenë përgjigjja më e mirë ndaj këtyre sulmeve.
Një tjetër pyetje për të ishte: “A mendoni se prokurori Klodian Braho do të jetë më i efektshëm në SPAK se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda?”
Braho theksoi gjithashtu se nuk ka patur kërcënime me jetë, por presione nga njerëzit e hetuar rreth paraqitjes së çështjeve në gjykatë.
Top Channel