Fiks Fare/ Fabrika e konservimit të peshkut në Durrës vazhdon punën/ Komiteti Helsinki: Faji i institucioneve

05/07/2019 20:45

Para pak ditësh emisioni Fiks Fare transmetoi problemin e banorëve në Spitallë të Durrësit, të cilët ankoheshin për fabrikën e konservimit të peshkut, që shkakton ndotje.

Fiksi solli pamje të ujit të ndotur në sipërfaqe në mes të lagjes edhe pse Inspektoriati i Mjedisit e kishte pezulluar, por prokuroria kishte mbyllur çështjen, duke dalë në përfundimin se nuk kishte ndotje edhe pse nuk kishin bërë asnjë analizë për ujin.

Menjëherë pas transmetimit reagoi Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Drejtoresha Ekzekutive, Erida Skendaj tha se ato njihen me këtë problematikë kanë hartuar dhe një raport, por asgjë nuk është përmirësuar. Ajo tregoi se do ribëjnë një vëzhgim në terren dhe t’ju ridrejtohen institucioneve të cilat deri tani kanë luajtur ping pong me banorët.

“Kërkojmë që të merret seriozisht shqetësimi i banorëve , pasi institucionet janë përgjegjëse për atë situatë” thotë znj. Skendaj.

Gazetarët e Fiksit shkuan edhe pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Durrës, përgjegjësi i mjedisit tha për Fiksin se subjekti ka marrë masa pas trasmetimit të kronikës në Fiks Fare.

“Fabrika ka vendosur një pajisje për filtrimin e ujërave ndaj ne kemi lënë që ai të punojë” shprehet përgjegjësi i inspektoriatit, po kur gazetarët e pyesin se a bëhet vërtetë filtrimi, i zënë ngushtë ai harron çfarë kishte thënë pak më parë duke u shprehur se inspektoriati e ka pezulluar. Gjithashtu përgjegjësi i këtij institucioni pranoi se nuk kanë asnjë procesverbal inspektimi në këtë subjekt. ” Ne nuk e dimë që punon, ju po thoni punon, na e faktoni” iu drejtua përgjegjësi.

Ndërkohë pronari i këtij subjekti menjëherë pas transmetimit të kronikës, u kërkoi gazetarëve të Fiksit që të shkonin në subjekt. Ai tregoi se ka blerë pajisjet dhe do bëjë ndërhyrjen sapo të marrë lejen nga bashkia.

“Ky problem do zgjidhet dhe me këtë tubacion që unë vetë kam blerë do shërbejë edhe për ujërat e zeza të tjera që derdhen në këtë kanal”, tha z.Mata.

Top Channel