Çelja e negociatave, Duma në “Top Talk”: Kemi 6 rekomandime nga KE. Reforma në Drejtësi s’ka progres

30/05/2019 16:42

Në kuadër të reagimeve për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave Shqipëri-BE e ftuar në studion e “Top Talk”, ka qenë e ftuar anëtarja e Kryesisë së PD, Grida Duma, e cila ka mbajtur edhe postin e zv/ministres së Integrimit gjatë qeverisjes së PD-së.

Për Grida Dumën, rekomandimi i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave nuk duhet pritur me optimizëm të madh, pasi është hera e gjashtë që vjen një rekomandim i tillë, e gjithçka varet nga Këshilli i ministrave të vendeve të BE, ku pritshmëria nuk është edhe aq pozitive.

“Nuk mund të ketë pozitivitet për një gjë që pritej. Është hera e gjashtë që kemi rekomandim nga KE, por kur vjen vendimi i Këshillit shohin qëndrimin real ndaj Shqipërisë. Shqipëria po bëhet edhe problem për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt BE”, u shpreh Duma.

Si pengesë për çeljen e negociatave ajo sheh edhe reformën në drejtësi, e cila sipas saj në progres-raport u vlerësua vetëm si nismë, por jo si reformë e implementuar apo e zbatuar tërësisht në sistemin e drejtësisë.

“Nëse për disa fusha thuhet që ka progres, Reforma në Drejtësi është vlerësuar si reformë e nisur, por jo si reformë e implementuar apo e aplikuar. Nuk është çështje e ligjeve në letër, por e aplikimit në realitet. Kjo thuhet edhe në progres-raport. Çdo progres-raport është se pozitiv. Por si në rastin e reformës në drejtësi, edhe në procesin e integrimit kemi progres të moderuar dhe jo progres të mirë”, u shpreh Duma.

Top Channel